Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka pasur “një bisedë produktive” me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Mynih. Në kryeqendrën e Bavarisë ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po përpiqet ta përballojë presionin e shtuar amerikan për formimin e Asociacionit. Blinken nuk takoi Kurtin.
Kosova po vazhdon t’i rezistojë presionit amerikan për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është bërë kërkesë e qartë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken të shtunën në Mynih e ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin tha se ka pasur “një bisedë produktive”.
“Biseduam për rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe për atë se sa e vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme të Serbisë për Ukrainën”, shkroi Blinken në Twitter, duke publikuar dy fotografi nga takimi.