Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, vizitoi Ukrainën për të dhënë garanci të forta dhe mbështetje, pas grindjes në distancë të zyrtarëve të Kievit me partnerin e saj qeverisës, Silvio Berlusconi.

Teksa dëshmoi me sytë e saj masakrat dhe makabritetet e ushtrisë ruse në Bucha dhe Irpin, Meloni nuk i përmbajti lotët. Më pas u rikthye në Kiev, ku u takua me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, të cilit i tha se populli i tij ka fituar tashmë.

Kryeministrja italiane i premtoi ndihma ushtarake, ekonomike dhe civile, pasi Ukraina punon për paqen, siç theksoi ajo.

Zelensky e falenderoi për mbështetjen dhe konfirmoi se Kievi dhe Roma kanë një vizion të përbashkët.

Meloni pati edhe një reagim ndaj Presidentit rus, Vladimir Putin, që përmendi raportet e mira mes Rusisë dhe Italisë në kohën e pandëmisë, duke nënvizuar se “bota ka ndryshuar pas 24 shkurtit për një zgjedhje që nuk është bërë nga Roma”.