Trupat e 39 personave të pajetë janë gjetur në një kontejner të ngarkuar në një kamion në Eseks, Angli. Policia ka arrestuar shoferin e kamionit, një 25-vjeçar nga Irlanda e Veriut, fillimisht si i dyshuar për vrasje.

Policia tha se kamioni vinte nga Bullgaria dhe kishte hyrë të shtunën në Britani. “Është një incident tragjik ku një numër kaq i madh njerëzit kanë humbur jetën”, tha shefi i Policisë, Andrew Mariner. “Hetimet vazhdojnë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur”. Ai shtoi se viktimat po identifikohen, por do të jetë një proces i gjatë.

Kryeministri Boris Johnson tha se ishte i trishtuar nga incidenti tragjik. “Po marr vazhdimisht informacione nga Ministria e Brendshme dhe po punojmë fort me Policinë e Eseksit për të zbardhur atë që ndodhi saktësisht. Mendimet e mia shkojnë për ata që humbën jetën dhe për të dashurit e tyre”, tha Johnson.

Policia nuk ka dhënë detaje mbi etninë e personave të vdekur, ose destinacionin përfundimtar të tyre.

Rruga e emigrantëve për në Mbretërinë e Bashkuar, nga Irlanda

Kompleksi industrial ku u gjetën trupat është një pikë ndalimi për të gjithë kamionët që shkojnë në jug të Anglisë e më pas kalojnë Kanalin e La Manshit për të përfunduar në Europë.

Sipas autoriteteve britanike, vitin e kaluar emigrantët e paligjshëm kanë përdorur gjithnjë e më tepër kufirin irlandez për t’u futur në Britaninë e Madhe, pasi konsiderohet edhe si pika më e dobët, njëkohësisht edhe një ndër pikat më të nxehta në debatin e Brexit.

BBC zbuloi vitin e kaluar se si emigrantët nga Azia, por jo vetëm, dërgoheshin me avion në Dublin, më pas transportoheshin për në Londër me dokumente false.

Një tjetër hetim zbuloi se pasi mbërrinin në Irlandë, emigrantët e paligjshëm dërgoheshin në Belfast e më pas me traget përfundonin në Glasgou. Sipas autoriteteve britanike një udhëtim i tillë u kushtonte atyre deri në 10 mijë paund secilit.

Veritas.com.al/