Ndërkaq, autoritetet kineze kanë bërë thirrje për kujdes pas shtimit të sanksioneve për pushtimin e Ukrainës.
Lëvizja e rafinerit më të madh të naftës në Azi nxjerr në pah rreziqet edhe për partnerin më të rëndësishëm diplomatik të Rusisë, shkruan agjencia e lajmeve “Reuters”.
Pekini zyrtar ka shprehur vazhdimisht kundërshtime ndaj sanksioneve, duke këmbëngulur se do të mbajë shkëmbime normale ekonomike dhe tregtare me Rusinë.
Madje, Kina ka refuzuar të dënojë veprimet e Moskës në Ukrainë ose t’i quajë ato një pushtim.
Por, në prapaskenë, qeveria është e kujdesshme ndaj kompanive kineze që bien ndesh me sanksionet.
Sipas agjencisë londineze, ajo po i shtyn kompanitë të ecin me kujdes me investimet në Rusi.
Qëkurse Rusia ka pushtuar Ukrainën një muaj më parë, tre gjigantët energjetikë shtetërorë të Kinës – Sinopec, China National Petroleum Corp dhe China National Offshore Oil Corp kanë vlerësuar ndikimin e sanksioneve.
“Kompanitë do të ndjekin me ngurtësi politikën e jashtme të Pekinit në këtë krizë”, tha një ekzekutiv i kompanisë shtetërore të naftës për “Reuters”.