Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqi është në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Krasniqi, i cili po gjykohet në Hagë, nuk u ndje mirë gjatë seancës në të cilën po intervistohet dëshmitarja e parë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).
Avokatja e tij, Venkateswari Alagendra ka paralajmëruar trupin gjykues se mund të ketë nevojë që ai të largohet nga salla.
“Krasniqi nuk ndihet shumë mirë për momentin, mendoj se mund të qëndrojë edhe pak por do të na thotë nëse ka nevojë të largohet dhe nëse na lejohet që të largohet”, ka thënë avokatja e Krasniqit.
Ndërkohë po intervistohet dëshmitarja e parë e ZPS-së dhe seanca po zhvillohet e mbyllur për publikun. Kjo është dita e tretë e dëshmisë së saj në seancë private.
Ndërsa në fillim të seancës, avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts ka kërkuar që të regjistrohet si provë një kallëzim penal i cili sipas tij është diskutuar në seancën e djeshme.
Këtë nuk e ka kundërshtuar prokuroria dhe trupi gjykues e ka pranuar si provë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po marrin pjesë fizikisht në sallë ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tyre.
Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve. Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.