Gledis Nano është drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili vjen në këtë post pas doreheqjes se Ardi Veliut. Emërimi i tij erdhi si propozim nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, e ndërsa sot është miratuar nga Këshilli i Ministrave, me firmë nga zv. kryeministri Arben Ahmetaj, pasi Edi Rama ndodhet ne Slloveni.
Kush është Gledis Nano?
Gledis Nano ka qenë pjesë e bluve prej shumë vitesh, ndërsa ka mbajtur detyra të rëndësishme, pavarësisht se është kujdesur për një profil të ulët publik. Që prej 17 shkurtit 2016 ka qenë në krye të Drejtorisë së Antiterrorit, ndërsa ka rënë disa herë në sy për çështje tejet delikate. Gledis Nano, si pjesë e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, por jo si drejtues, është kujdesur për njërën prej dosjeve më të bujshme të viteve të fundit, atë të “imamëve” që u arrestuan dhe dënuan për terrorizëm, në vitin 2003.
Kjo ngjarje ka pasur jehonë në atë kohë dhe i dha ngritje të lartë Nanos. Një tjetër dosje e rëndësishme që Gledis Nano ka hetuar ka qenë ajo e celulës terroriste të qeverisë iraniane, të cilët kishin planifikuar një sulm ndaj lëvizjes opozitare që jetojnë në Shqipëri, në vitin 2019. E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, Nano ka udhëhequr riatdhesimin e shqiptarëve nga kampet famëkeqe të Sirisë, operacione që kanë pasur nivel të lartë vështirësie.
Puna e kryer si drejtues i Antiterrorit, i rriti kredencialet Gledis Nanos edhe në sytë e amerikaëve, të cilët nuk kanë hezituar ta vlerësojnë. Ai ka pasur bashkëpunim të ngushtë gjatë ushtrimit të detyrës me selinë pranë rrugës së Elbasanit.