Lajmi se hackerat kanë kërkuar 30 milionë dollarë në bitcoin nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) është i pavërtetë.

 Kështu ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, teksa i është kundërpërgjigjur Top Channel, që shkruante se hackerat kanë kërkuar shpërblim nga AKSHI.“Gjyqet me median për shpifje, përfshirë edhe shpifjet që përhapin panik, nuk janë në praktikën e qeverisë sonë! Prandaj i bëj thirrje publike TCH të ndalë menjëherë valën e shpifjeve dhe përhapjen e panikut lidhur me pasojat e agresionit kibernetik mbi Shqipërinë”, shkruan Rama në median e tij sociale, Twitter.

Por, nga ana tjetër Rama thekson se pas sulmit kibernetik qëndron një shtet tjetër dhe jo një bandë dosido digjitale që merret me gjoba.

Kështu kryeministri nuk e mohon, por as pohon se pas sulmit janë hackerat iranianë.

“AKSHI dhe një skuadër e superspecializuar ekspertësh të huaj, po luftojnë natë e ditë për rimëkëmbjen e plotë në kohë rekord të sistemeve pas zmbrapsjes së sulmit. Është e turpshme që të gënjehet publiku në këtë farë feje ,cilado qofshin motivet e kësaj vale shpifjesh haluçinante”.

Ndërkohë, një grupim i ashtuquajtur “Homeland Justice” ose “Drejtësia e Atdheut” ka postuar materiale kërcënuese në median sociale “Twitter” ndaj AKSHI-t.

Kujtojmë që serverat e shërbimeve qeveritare online në Shqipëri janë bërë objekt i një sulmi kibernetik prej disa ditësh.

“Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) do të goditet së shpejti nga një atak në zemër!”, shkruan grupimi i paidentifikuar.

Sipas tyre, ata nuk kanë dashur dhe nuk dëshirojnë të cenojnë interesat e popullit shqiptar.

Kjo, duke iu referuar një marrje përgjegjësie (mea culpa) mbi sulmin kibernetik.

“Kur bëhet fjalë për qeverinë dhe politikanët e korruptuar të Shqipërisë, kjo është një histori tjetër. Shqipëria nuk është shtëpi për Terroristët dhe Mashtruesit”, shkruan faqja anonime.

Në hashtaget e përdorura nga “Homeland Justice” janë edhe ato të Manzës dhe Durrësit, e cila lidhet me vendndodhjen e Muxhahedinëve në Shqipëri.

Logoja e përdorur nga përdoruesit shfaq një shqiponjë që ngërthen në kthetrat e saj Yllin e Davidit, e cila i referohet flamurit të Izrael-it.

Këto detaje bëjnë të mundur që të identifikohet edhe origjina e tyre, pra Irani.

Mes postimeve mund të gjenden edhe dosje për personelin e AKSHI-t duke lënë të kuptohet se ata janë cenuar të parët nga ky grupim.