Koment nga: Laert Skiro /

Gjithë konferenca e shtypit e presidentit Ilir Meta, sot kishte vetëm një qëllim; por nuk i dihet nëse arriti gjë. E tëra ishte për të përkëdhelur kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi. Që në fillim të konferencës, Meta tha se ‘ Kuvendi ka bërë një punë të shkëlqyer duke ftuar Komisionin e Venecias’, i cili dërgoi në delegacion faktmbledhës rreth çështjes nëse presidenti Meta e ka shkelur Kushtetutën apo jo.

Ky është akti i tretë brenda tre ditëve kur Ilir Meta bën përkëdhelje ose shantazh ndaj zotit Ruçi. Hera e parë ishte festa e 15 vjetorit të LSI ku Ruçi ra në grackën e ledhatimeve dhe duartrokitjet për Monika Kryemadhin- gruaja e Ilir Metës dhe kryetare e LSI që nga Meta u akuzua si shkaktare të terrorit të planifikuar në 8 qershor.

Hera e dytë ishte e hëna kur ilir Meta u thërrit në Komisionin Hetimor mbi shkeljen e Kushtetutës së presidentit. Meta, sapo mbaroi sesioni i hetimit, u nis direkt në zyrën e kryetarit të Kuvendit Ruçi ku nuk kishte asnjë arsye që të shkelte sidomos atë ditë. Atë ditë mediat e Metës publikuan një foto të vjetër të tre personave: Meta e Ruçi në plan të parë, ndërsa Edi Rama duket si hije. Me këtë foto Meta deshte të reflektonte se ‘ Meta dhe Ruçi janë bashkë, ndërsa Rama i veçuar’.

Hera e tretë ishte dita e sotme, kur Meta thuri lavde emocionuese për Gramoz Ruçin që ftoi Komisionin e Venecias në Tiranë për të analizuar nëse presidenti ka shkelur Kushtetutën.

Prej vitesh, që në kohën kur ishte kryetar Kuvendi, Ilir Meta ka bërë shantazhe të tillë diversioniste brenda PS. Herë me Tahirin, herë me Xhafën e herë me Bushatin e zonjën Arta Dade, Meta ka gjuajtur me qenie njerëzore në drejtim të Ramës.

Por a ka shpresë se kësaj here do t’ia dalë të mbjellë kaos brenda radhëve të maxhorancës duke hedhur ura me Ruçin?

Së pari ky duket si një naivitet i skajshëm. Gramoz Ruçi nuk mund të hedhë poshtë gjithë karrierën e tij politike për një president që i ka të numëruara ditët në zyrë. Ruçi ka defektet e tij si një ‘fshatar’ tradicional që me miqtë ndërron një cigare duhan diku në rrugë, por nuk mund të mendohet se i kthen kurrizin PS-së për Metën ‘armik i PS’.

Së dyti, Meta ndjehet në panik të thellë, dhe kjo e bën të bëjë çfarë nuk bëhet. Sot konferencën e shtypit e kishte kot së koti, sa për tu ndodhur ‘Iliri në punë’. Kur nuk ka çfarë bën, bën atë që po bën, thotë edhe budallallëqe për veten si kjo sotmja se ‘pushuam gjatë ne politikanët’, kur vetë i ka nisur pushimet në qershor maleve të shqiptarisë, dhe akoma nuk i ka mbaruar në Gjirin e Lalëzit në shoqërinë me macet.

Shtatori dhe tetori janë ‘ferr’ për Metën, prandaj i jep vetes të drejtën që të shijojë ‘parajsën’ me Ruçin dhe me gazetarët.

VERITAS.COM.AL/