(FOTO: Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor në mbledhjen jo- informale, Durrës, gusht 2017)/

Nga: L. Skiro/

Nesër, e hënë, në ora 9.30, opozita (PD+LSI) ka vendosur që të ‘shpërthejë’ në një protestë para selisë së seancave plenare të Kuvendit, me qëllim që të mos lejohet zgjedhja e Prokurorit të përkohshëm me votat në Kuvend.

Opozita ka kërkuar zgjedhjen e Prokurorit të përgjithshëm  të Republikë, jo nga Kuvendi, por nga Këshilli i Lartë i Prokurorëve- një institucion i krijuar posaçërisht për ‘punët e Prokurorëve’ nga Reforma e Drejtësisë e përmendur si një fitore e madhe e punës së gjithë instrumenteve politik gjatë dy viteve të fundit.

Mirëpo veprimet e deritanishme kanë lënë të nënkuptohet se Prokuori do të zgjidhet nga Kuvendi. Opozita është betuar se këtë gjë nuk do ta lejojë, madje se ‘do të ngrejë njerëz në protesta’ gjatë kohës kur zgjidhet Prokurori në Kuvend. Konferenca e sotme e LSI mbi këtë çështje dhe disa deklarata të PD, tregojnë se objektivi i opozitës do të jetë kryeministri Rama, i cili është ai ‘që po fut drejtësinë në dorë’. Madje ka pasur edhe deklarata të egra me fyerje personale…

Por nesër nuk do të ndodhet kryeministri Rama në Kuvend. Sot është marrë vesh se nesër, 18 dhjetor, shefe e politikës së jashtme në BE, Mogherini, ka thërritur në Bruksel një mbledhje jo formale me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor me temë të përgjithshme ‘si do ët jetë Ballkani në vitin 2018’. Është thuajse e njëjta mbledhje si edhe e gushtit 2017, kur kryeministrat e Ballkanit u mblodhën në Durrës në mënyrë ‘jo formale’ dhe nuk bënë asnjë punë.

Edhe nesër, sigurisht, kryeministrat e Ballkanit Perëndimor në Bruksel nuk do të bëjnë asnjë punë, do të jenë ‘jo formal, domethënë jo- zyrtarisht.

Por një punë duket se do ta bëjë ajo mbledhje: Ajo do të zhvleftësojë protestën e opozitës në Tiranë, duke iu hequr nga sytë shënjestrën që kanë vënë. Nuk është larg mendjeje që mbledhja të jetë thërritur edhe për të lënë opozitën ‘kot’ në shesh.

Por mund të ketë edhe një plan më të thellë: Nesër Kuvendi nuk do të shqyrtojë zgjedhjen e prokurorit. Ose do ta zgjedhë, por Rama nuk është ‘fajtor’, ai mungon.

Veritas.com.al/