Ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë dhe aktualisht kryetar i PAA,  Agron Duka, ka ironizuar kapjen e sasisë rekord të kokainës mbrëmjen e djeshme, duke ngritur hipoteza se pas saj mund të jenë të përfshirë edhe politikanë, të cilët, me paratë që do të buronin nga shitja e saj, do t’i përdornin për qëllime elektorale.

Duka pyet përmes një statusi të shkurtër në “Facebook” se “sa palë zgjedhje blihen me 180 milionë euro?”

Duke bërë ironi edhe me zbardhjen e qytetit nga reshjet e dëborës që bien që prej natës së djeshme, Agron Duka thotë që është porti i Durrësit ai që është zbardhur më shumë se qyteti sot, për shkak të kokainës së madhe.

Policia në bashkëpunim me Prokurorinë, përmes një operacioni arritën të godasin këtë trafik droge, duke sekuestruar 613 kg kokainë të ardhur nga Kolumbia, sasia më e madhe e drogës e kapur ndonjëherë më parë në Shqipëri.

Veritas.com.al/