SHBA ka planifikuar të ngrejë një bazë ushtarake në Shqipëri, si një lëvizje për të garantuar stabilitetin e rajonit dhe një qasje më të thjeshtë ushtarake në pjesën e Evropës Lindore.
Mbi këtë fakt ka folur për median gjermane Deutsche Welle edhe ish-gjenerali i NATO-s, Erhard Buhler, i cili ka shpjeguar edhe arsyet se pse u zgjodh pikërisht Shqipëria për ngritjen e saj.
Sipas Buhler, çështja kryesore është të kuptohet se ngritja e kësaj baze, ka të bëjë me trajnimin e forcave speciale. Kjo, sepse ky divizion, varet shumë nga bashkëpunimi ndërshtetëror dhe shumëkombësht.
“Kanë nevojë për standarde të njëjta, me të cilat ato trajnohen, ushtrojnë dhe, nëse është e nevojshme, operojnë në misione”, shpjegon ish-gjenerali.
Ndërsa, interesi operacional, nuk është në plan të parë sipas tij. Pra, ngritja e bazës nuk ka të bëjë direkt me ndërhyrjet ushtarake, sa ka të bëjë me njehsimin e trajnimeve ushtarake në rajon.
Për sa i përket arsyeve se pse u zgjodh pikërisht Shqipëria për ndërtimin e saj, Buhler e nis me parantezën se Shqipëria është një partnere e çmuar e NATO-s me shumë kapacitete që mund të sjellë në NATO.
Pikërisht për këtë arsye, ka një interes për të vijuar mbështetjen e forcave të armatosura shqiptare në aftësimin e tyre.
Më pas, ndikim ka edhe pozicionimi gjeografik. Prej Shqipërisë, mund të ndihmohet me trajnimin edhe të vendeve të tjera si Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi apo Sllovenia.
Ndërsa, mbi vlerësimin e SHBA-ve, ai shton se vendosja në Shqipëri, tregon përkushtimin që superfuqia botërore ka për paqen në Ballkan.
Një pyetje tjetër ka qenë ajo mbi trazirat e fundit në Partinë Demokratike, pas rikthimit në skenë për karrigen numër një në kampin blu, të ish-kryeministrit të vendit, Sali Berisha.
Megjithatë, Buhler nuk mendon se këto ngjarje ndikojnë në vendimin e përcaktimit të bazës.
“Faktori vendimtar është trajnimi i forcave speciale dhe interesi i fortë për t’i dhënë Ballkanit Perëndimor një të ardhme paqësore”, përmbyll ai.