Sot ish kryeministri, Sali Berisha është thirrur që të dëshmojë në polici për sulmin e djeshëm ndaj tij. Sipas zëdhënësit të tij, Alfred Lela dhuna u pa live dhe Berisha reagoi me deklaratat për shtyp duke shtuar se nuk mund të harxhojë asnjë minutë për policinë që e cilëson politike. Agresori, Gert Shehu është vënë në pranga nga policia e Tiranës, ndërsa masa e arrestit i është komunikuar gjersa ndodhet në spitalin e Traumës ku po mjekohet për plagët e marra pas goditjeve të truprojave të Berishës. Këta të fundit u paraqitën në polici për të dhënë dëshminë e tyre dhe më pas u lanë të lirë.
31 vjeçari, pësoi dëmtime të shumta në fytyrë dhe në trup dhe për rrjedhojë u transportua në spitalin e Traumës ku ende po merr mjekimin e nevojshëm. Ndryshe nga dokumenti shendetesor, i publikuar ku tregohej se 31 vjeçari, Gert Shehu prej vitit 2018 kurohej për probleme të shëndetit mendor, Berisha tha se sulmi ndaj tij kishte qenë i organizuar, ndërsa shtoi se agresori i tij kishte qenë agjent i policisë kriminale.
Report Tv ka siguruar edhe video-n, ku shihet qartë sesi 31 vjeçari para se të kryente sulmin me grusht ndaj Berishës është parë duke dalë nga xhamia dhe më pas ka shkuar në selinë e Partisë Demokratike ku ka tentuar që t’i afrohet ish kryeministrit gjatë momentit që ky i fundit u drejtua për tek bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’. Pasi nuk arriti t’i afrohej gjatë kohës kur ishte në oborrin e selisë, Gert Shehu ka gjetur momentin e përshtatshëm për ta goditur ndërkohë që Berisha dhe Meta po shkonin drejt protestuesve që ishin mbledhur jashtë perimetrit të sigurisë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.
Për sulmin e bërë ndaj Berishës pati reagime të shumta nga ana e opozitës dhe ambasadave të huaja në vend, të cilat e dënuan rastin duke e cilësuar si të papranueshëm në një vend demorkatik. Gjithashtu, kryeministri, Edi Rama kërkoi që përgjegjësi të dilte para ligjit dhe të merrte dënimin e merituar për sulmin që kreu i ekzekutivit e konsideroi si akt të patolerueshëm.