Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi gjatë një interviste në mediat vendase se situata në veri të Kosovës është tensionuar dhe nevojitet një zgjidhje e menjëhershme për banorët e këtyre zonave.

I ftuar në televizionin Happy, pas takimit me serbët e veriut, lideri serb u shpreh se vendi i tij është i gatshëm për kompromis për tejkalimin e kësaj situate, por është e nevojshme që 4 kryetarët e komunave të japin dorëheqjen.

“Ne jemi të gatshëm për kompromis, thjesht po ju kërkoj që të largoni kryetarët e rrejshëm nga ndërtesat e komunës, le të japin dorëheqje. Jemi të gatshëm për kompromise, por edhe të fillojë formimi i Asociacionit”, tha Vuçiç.

Më tej, presidenti i Serbisë dha detaje për takimet e fundit që ai pati me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Lajçak dhe atë të SHBA-së, Escobar.

“Kam pasur një bisedë jo aq të lehtë me Miroslav Lajçakun, me disa përfaqësues amerikanë dhe me një nga përfaqësuesit më të lartë të BE-së. Situata po komplikohet dhe më shqetëson shumë.

Nuk mendoj se duhet të them se cilat shtete janë. Kam respekt të madh për kancelarin Scholz, jam politikisht i afërt me presidentin Macron. Ishte një bisedë shumë e vështirë. Duhet t’i kuptojmë, ata nuk duan luftë, konflikt.

Neve na takon të ruajmë paqen, interesat e popullit tonë, që kombi ynë të mbijetojë. Prandaj nuk është e lehtë të flasësh as me serbët nga Kosova”, tha Vuçiç.