Zëvendëspresidenti i SHBA, Joe Biden zhvilloi sot takimin me kryeministrin Isa Mustafa. Takimi u zhvillua në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Ishin të pranishëm dhe zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi dhe Branimir Stojanoviç dhe ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj.

Pas takimit me kryeministrin, zv/presidenti Biden u takua me presidnetin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me të cilin kishin një konferencë pë mediat.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën tha se nëse “nuk kalon Ligji për Demarkacionin” me Malin e Zi dhe nuk formohet Asociacioni i Komunave Serbe, “Kosova do të mbetet e izoluar”.

Thaçi gjatë fjalës së tij në konferencë ka shtuar se Kosova do të lihet anash nga SHBA’të dhe Brukseli nëse nuk i përmbush këto dy marrëveshje.

“Pa kalimin e vijës kufitare me Malin e Zi dhe pa formimin e ASK Kosova do të mbetet e vetmuar dhe e izoluar – apo e lënë anash nga SHBA dhe Brukseli. Dhe nuk mund të kërkojmë ndihmë nga askush”.

“Marrëveshja me Malin e Zi është marrëveshje e drejtë, ky vendim do ta forcojë shtetësinë tonë,  do t’i hap rrugë integrimit Euroatlantik dhe do t’i hap rrugë qytetarëve të Kosovës për të lëvizur pa viza drejt shteteve të zonës Shengen.

Ne nuk mund të kërkojmë ndihmë nga askush kur nuk i kryejmë detyrat dhe obligimet tona shtetërore që janë në interes për Kosovën dhe të ardhmen Atlantike”, ka thënë Thaçi në konferencë./Nga GazetaExpress/