Nga Gjergj Meta

Tre çështje kanë zënë faqet e shtypit dhe kanë shkaktuar debat në opinionin publik në këto kohët e fundit në Shqipëri. E para ka qenë protesta në Rrugën e Kombit, e dyta debati rreth kampeve të regjimit komunist në mënyrë të veçantë debati rreth kampit të Tepelenës dhe e treta debati rreth komunitetit LGBT.

Për të parin nuk kam shumë çfarë them më shumë, sepse Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë, ku bëj pjesë edhe vetë, ka folur duke mbështetur të drejtën e protestuesve, qoftë si e drejtë proteste e qoftë në kauzën e tyre, që është kauza e varfërisë së pjesës më të madhe të shqiptarëve, duke dënuar, në të njëjtën kohë, dhunën.

Unë  e kam ndjekur me kujdes debatin rreth kampeve të përqendrimit në regjimin komunist. Me kampin e Tepelenës jam njohur nga historia rrënqethëse e Drane Jakës e cila mbarti kufomën e djalit për ta çuar e për ta rivarrosur në vendlindje, në Tropojë.

Kjo për mua është një agjendë neokomuniste që, në një mënyrë apo në një tjetër, çohet përpara e nxjerr krye sa herë ne fillojmë të harrojmë apo të zhvendosim vëmendjen në gjëra të tjera. Hidhen si shashka teori, nxirren dokumenta apo pseudodokumenta, ndërkohë që ekzistojnë dokumenta frymorë, njerëz ende të gjallë, protagonistë të vuajtjes së asaj kohe të mbrapshtë. Dhe kjo më së shumti quhet sarkazëm, ironi, poshtërsi, cinizëm dhe tallje.

Është si t’i thuash një njeriu që ka luftuar me një tumor: ‘hë mor burrë se ke qenë i ftohur në mushkri, ethe ke pasur, ankohesh kot’. Kjo agjendë diku  është hapur e diku tjetër fshihet në nënvetëdijen e atyre që nuk duan të dorëzohen e të thonë: “Po! Ai sistem ishte kriminal, antishqiptar e antinjerëzor”. Nuk duan të dorëzohen qoftë ata që ishin protagonistë, në administratë apo në propagandë, e qoftë pasardhësit e tyre biologjikë apo ideologjikë.

Çështja tjetër është ajo e LGBT.

Ka një lloj agjende imponuese rreth kësaj çështje, pasi agjenda LGBT vjen nga lart dhe nga larg. Duhet ndarë agjenda LGBT dhe personat LGBT.

Ndërhyrja e fundit në parlament e përfaqësuesve të diplomacive të huaja, sidomos USA në personin e ambasadorit Donald Lu, apo edhe disa deputetëve tanë, është një paternalizëm krejtësisht i pavend dhe hipokrit. Paternalizëm që vjen si pasojë e një vendi të vogël e me plot probleme, i paaftë për të vendosur vetë e për të marrë në dorë fatet e vetvetes.

Kur u miratua Reforma në drejtësi, Ambasadorët e vendeve Europiane e të USA heshtën përballë heqjes së nenit të mosdiskriminimit në Kushtetutë. Atëherë heshti edhe Avokati i Popullit dhe shumë OJQ e OJF, madje edhe vetë LGBT. Kjo do të thotë se në këtë çështje oportunizmi është kriteri i veprimit dhe jo kujdesi ndaj personave LGBT.

Në prag të votimit për Reformën në Drejtësi kundër këtij neni foli vetëm Mesila Doda dhe Tritan Shehu. Në atë kohë e kritikova Mesila Dodën dhe e quajta oportuniste, por më duhet të pranoj se ajo kishte të drejtë dhe jo unë. Dua t’i qortoj vetes një lloj naiviteti përreth kësaj çështjeje. Agjenda LGBT, ashtu si paraqitet ndër ne dhe në shumë vende të tjera perëndimore, është një çështje oportunizmi dhe ekonomie. I ngjan OJQ-ve që punojnë për pyllëzimin e pyllëzim s’ka askund.

Ndërsa për personat LGBT ka një rrugë tjetër, drejt së cilës shoqëria jonë duhet të ecë. Çështja e lirisë nuk është një çështje qejfi, por një çështje sociale. Liria jetohet dhe zhvillohet jo si një hapësirë ku ekzistoj vetëm unë, por si një hapësirë ku bashkëjetohet dhe ku duhet të ecim të gjithë së bashku. Na takon të gjithëve që të kujdesemi në mënyrë që personat me orientim seksual të ndryshëm, të mos ndjehen të përjashtuar në jetën e përditshme. Por integrimi i tyre duhet të kalojë patjetër nëpërmjet një procesi të brendshëm, i cili duhet të mbajë parasysh rrethanat kulturore, shoqërore, politike, antropologjike, e kështu me radhë, të një vendi dhe të një kohe. Integrimi nuk kalon nëpërmjet luftërave identitare që u ngjajnë kryqëzatave, pavarësisht nëse kanë ngjyrë fetare apo ideologjike, si ajo e agjendës LGBT, apo asaj neokomuniste, e as nëpërmjet manifestimeve publike nëpër parada krenie.

Kujdesi ndaj personit është primar, por jo ndaj një personi që vendos veten e tij në qendër të gjithçkaje pa pyetur askënd e pa marrë parasysh jetën e të tjerëve./drita.info

Veritas.com.al/