Në Shkodër  goditet një rast i trafikut të armëve, sekuestrohet snajper, pushkë e pistoletë

Një 43 vjeçar është shpallur në kërkim dhe nëna e tij është proceduar penalisht pasi në banesën e tyre janë kapur dhe sekuestruar një arsenal armësh të fshehura.

Në kuadër të operacionit të koduar “Guns”, të zhvilluar në fshatin Mali i Jushit, Bushat, Shkodër është bërë i mundur zbulimi i arsenalit të armëve në banesën e shtetasit me iniciale A.I.

Sipas policisë mësohet se nga operacioni janë sekuestruar një arsenal armësh (1 snajper, 1 pushkë, 1 pistoletë, 1 armë gjahu, 2 armë sportive, 1 palë dylbi dhe municion luftarak për të gjitha llojet e këtyre armëve).

Ndër të tjera thuhet se këto armë do të shiteshin shtetasve që do i përdornin për krime ndaj personit dhe pronës.

Operacion policor i koduar “Guns”, për parandalimin dhe goditjen e një rasti të dyshuar të shitjes së një arsenali armësh. Sipas informacioneve dyshohet se shtetasit që do t’i blinin këto armë, do t’i përdornin për të kryer krime ndaj personit dhe pronës.

Operacioni në fshatin Mali i Jushit, Bushat, Shkodër, falë informacioneve të siguruara përmes inteligjencës informative, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vau i Dejës.

Sekuestrohet një arsenal armësh (1 snajper, 1 pushkë, 1 pistoletë, 1 armë gjahu, 2 armë sportive, 1 palë dylbi dhe municion luftarak për të gjitha llojet e këtyre armëve).

Shpallet në kërkim 43-vjeçari, poseduesi i arsenalit të armëve, i cili në momentin e kontrollit nuk u gjet në banesë. Procedohet në gjendje të lirë nëna e tij.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shodër, pas sigurimit të informacionit se një shtetas që banonte në fshatin Mali i Jushit, në Bushat, Shkodër, posedonte një arsenal armësh dhe dyshohej se po përgatitej për t’i shitur ato te shtetas me precedent kriminal, të cilët dyshohet se do t’i përdornin armët për të kryer krime ndaj personit dhe pronës, menjëherë kanë organizuar punën në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Vaut të Dejës dhe në kuadër të operacionit “Guns”, kanë ndërhyrë në banesën e 43-vjeçarit A. I.

Gjatë kontrollit në këtë banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një arsenal armësh, konkretisht:

1 snajper, 1 pushkë, 1 pistoletë, 1 armë gjahu, 2 armë sportive, 1 palë dylbi dhe municion luftarak për të gjitha llojet e armëve të gjetura në banesë.

Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, shtetasi A. I. nuk është gjetur në banesë, ndaj është shpallur në kërkim. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u procedua penalisht në gjendje të lirë nëna e shtetasit A. I., shtetasja L. I., 73 vjeçe.

Strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë  veprimtari kriminale.

Ndërkohë vijon puna për kapjen e poseduesit të arsenalit të armëve, shtetasit A. I.”, thuhet në njoftimin e policisë.