Sot, Komisioni Europian i dha Holandës përgjigje negative për rikthimin e vizave për shtetasit shqiptarë. Në lidhje më këtë vendim, ka reaguar qeveria holandeze, përmes ambasadës, në Tiranë.
Në deklaratë thuhet në letrën refuzuese, Komisioni beson se Shqipëria duhet të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të adresuar çështjen e aplikimeve të pabazuara për azil dhe për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar.
Gjithashtu, shprehet se Holanda velrësin bashkëpunimin me Shqipërinë, dhe do të vijojë të punojë me shtetin tonë për të parë se, shqetësimet në lidhje me krimin e organizuar, aplikimet e pabazuara për azil dhe kalimi i klandestinëve përmes Holandës, mund të adresohen në mënyrë efikase.
Deklarata e plotë
Në datën 1 korrik, Ministri i Punëve të Jashtme të Hollandës ka marrë një përgjigje nga Komisioni Europian në lidhje me letër-kërkesën e dërguar në datën 31 Maj 2019. Në këtë letër, Komisioni ka dalë në përfundimin se kushtet teknike për të aktivizuar mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen. Por gjithsesi, në letër theksohet se Komisioni beson se Shqipëria duhet të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të adresuar çështjen e aplikimeve të pabazuara për azil dhe për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar.
Sinjali që vjen nga letër-kërkesa vijon të jetë i rëndësishëm. Hollanda do të punojë me Shqipërinë për të parë se si shqetësimet tona në lidhje me krimin e organizuar, aplikimet e pabazuara për azil dhe klandestinët që përpiqen të kalojnë në Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet porteve të Hollandës mund të adresohen në mënyrë më efikase.
Ne e vlerësojmë bashkëpunimin tonë të mirë me palën Shqiptare dhe e shohim si thelbësore adresimin e këtyre çështjeve.