Këshilli Bashkiak i Tiranës ka vendosur shembjen e Teatrit Kombëtar. Në vendimin e Këshillit Bashkiak “Për miratimin e shembjes së godinës të ‘Teatrit Kombëtar’, pasuri në pronësi të bashkisë Tiranë, bazuar në akt-ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit ‘Mbi vlerësimin e godinës së teatrit Kombëtar’” që mban datën e sotme thuhet se me propozimin e Kryetarit të Bashkisë, Këshilli Bashkiak vendosi miratimin e shembjes së godinave të Teatrit Kombëtar.

Bashkia merr të gjitha masat për nisjen dhe ndjekjen e procedurës së ndërtimit të godinës bashkëkohore dhe me standarde të Teatrit Kombëtar. Dokumenti mban në fund firmën e kryetarit të Këshillit Bashkiak Toni Gogu.

Akt-ekspertimi i bërë në vitin 2018 nga Instituti i Ndërtimit vlerëson se kushtet aktuale të godinës së Teatrit Kombëtar nga ana statike nuk janë të përshtatshme për kryerjen e aktiviteteve dhe se janë jashtë normave të projektimit e shfrytëzimit të godinës.

Ekspertët sqarojnë se riparimi i objektit në 90% të tij dhe sjellja e godinës në kushtet teknike të sotme përbën vështirësi dhe se kërkon një kosto shumë të madhe.

Ata sugjerojnë shembjen e godinës, pasi sipas tyre është jashtë normave të projektimit, duke rrezikuar deri jetën dhe shëndetin e njerëzve.

Çështja e Teatrit Kombëtar do të jetë krahas mbledhjes së të premtes edhe në axhendën e punës së Këshillit Bashkiak të Tiranës, edhe ditën e hënë, ku në orën 11:00 është parashikuar dhe projektvendimi për shqyrtimin e projektit për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.

Pas ndërprerjes së negociatave me privatët, Bashkia do të marrë një kredi nën garancinë e qeverisë, për realizimin e projektit të ri.

VERITAS.COM.AL