Albanian Post mëson se ndërhyrja e KFOR-it pritet që të bëhet në orët e vona të pasdites, gjatë kësaj të hëne.
KFOR, siç kupton AP, është përgatitur tashmë dhe vetëm pritet drita e gjelbër nga baza e NATO-s në Napoli të Italisë.
Deri te një pajtim i përgjithshëm për të ndërhyrë KFOR-i në Veri ka ardhur pasi Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
Në këto biseda është arritur një marrëveshje për de-eskalim të situatës më futjen e trupave paqeruajtëse të aleancës në Veri.
(Trupat amerikane te KFOR-it)
Edhe ultimatumi që Vuçiç në një intervistë në televizionin serb “Pink” e dha të dielën në mbrëmje, ku tha se pret 24 orë që NATO të bëjë diçka dhe nëse nuk intervenon aleanca-veri-atlantike, atëherë Serbia reagon vetë, ishte pjesë e këtij skenari.
Pasi KFOR të marrë kontrollin në dy pikat kufitare në Veri, do të ndodhë largimi i Njësiteve Speciale të Policisë së Kosovës dhe zhbllokimi i rrugëve nga protestuesit serbë.
Edhe Kurti, në një konferencë të jashtëzakonshme për media të shtunën e kaluar, deklaroi se veprimet ushtarake të Serbisë afër kufirit me Kosovën, janë njëfarë përgjigje për ndërkombëtaret, meqë janë ata që po kërkojnë ulje tensionesh dhe mos-veprime të njëanshme dhe Serbia prapëseprapë po e bën.
Pas normalizimit të situatës palët do kthehen në Bruksel për të negociuar, mirëpo ende është e paqartë nëse reciprociteti për targat do të vazhdojë, apo do kthehet situata e mëparshme.
Çfarë ndodhi në Veri?
Në orët e para të mëngjesit të së hënës së 20 shtatorit, Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës u nisën për në dy pikat kufitare në veri të Kosovës, përkatësisht më Jarinje e Bërnjak, për t’i dal n ë ndihmë Policisë Kufitare të cilët ishin urdhëruar nga Qeveria e Kosovës për të filluar zbatimin e masave të reciprocitetit në tabelat e automjeteve të cilat hynë nga Kosova në Serbi.
(Zëvendësimi i tabelave nga “KS” në “RKS”, në Jarinje)
Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, qytetarë serb të revoltuar nga këto masa të cilat po i aplikonte Kosova ndaj tyre, bllokuan të gjitha rrugët të cilat të qojnë në këto dy pika kufitare.
Përveç prezencës së tyre fizike, me dhjetëra, rrugët u bllokuan edhe me kamionë.
(Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës dhe barrikaduesit e dy pikave kufitare në Veri)
Pas 24 orëve të para të aksionit, protestuesit ngrenë edhe tenda për të kaluar natën afër pikave kufitare ku i kishin bllokuar. gjendje kjo e cila po vazhdon të jetë e njejtë për tetë ditë radhazi.
(Jarinje, protestuesit në përgatitje për të kaluar natën në rrugë)
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla kishte dalë në konferencë dhe tregoi se po zbatonin një marrëveshje reciprociteti me shtetin serb.
Pika e gjashtëmbëdhjetë e marrëveshjes, parashihte që edhe Kosova ka të drejtë të përdorë targa të përkohshme për veturat që në vend futen me targa serbe, derisa nuk arrihet një pajtim përfundimtar.
Goran Rakiq, udhëheqës i Listës Serbe dhe Ministër për Komunitete dhe Kthim, kishte dalur në vendin e ngjarjes ku po qëndronte Njësia Speciale e Kosovës në Veri dhe kërkoi nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të ndërmarrë diçka duke shtuar se aksioni është kërcënim i drejtpërdrejtë për njerëzit.
“U bëj thirrje të gjithë atyre që janë mbledhur të përmbahen, dhe gjithashtu Prishtinës të mos ngrejë tensione. Ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë për njerëzit, të cilët janë të shqetësuar se si të sigurojnë bukë për fëmijët e tyre”, tha Rakiç.
Deklaratat e tij filluan të kalojnë në kërcënime.
Duke thënë se masat që tash do t’i ndërmerr Serbia do të jenë të dhimbshme për palën tjetër – Kosovën. Serbia do të përgjigjet me masa të saj”, të cilat do t’i shkaktojnë “dhimbje palës tjetër”.
“Nesër do të flasim për masat tona, do të jenë të dhimbshme, sidomos në planin ekonomik. Shpresoj të mos jetë e nevojshme të marrim këto masa”, kishte thënë Vuçiç, një ditë pas fillimit të zbatimit të këtyre masave të reciprocitetit për tabelat e automjeteve.
(Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç)
Në ditët në vazhdim pati tendenca të vazhdueshme nga pala serbe që situata të eskalojë.
Përveç zyrtarëve policorë të cilët sulmoheshin sa herë kalonin turmën e protestueseve, kur bëhej ndërrimi i tyre, pala serbe filloi të shtrëngoj masat në kufi, nga ana e vet, duke dërgua forcat ushtarake të veta.
Më pas tre helikopterë serb u panë duke fluturuar mbi qiellin e Kosovës, afër kufirit në Jarinje.
Por që pala kosovare nuk i’u përgjigj këtyre provokimeve.
Tërheqjen e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës nga pikat kufitare në Veri, e kërkuan të gjithë aleatët e Kosovës.
“Po vazhdoj ta ndjek nga afër situatën në veri të Kosovës. Serbia dhe Kosova duhet që pakushte ta de-eskalojnë situatën në terren, duke i hequr menjëherë njësitet speciale policore dhe duke i hequr bllokadat në rrugë. Çfarëdo provokimi i mëtutjeshën ose vendim i njëanshëm dhe veprime të pakoordinuara janë të papranueshme”, ka deklaruar Josep Borell.
(Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borell)
Stoltenberg bisedon me Kurtin dhe Vuçiçin për situatën në veri
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ka biseduar në telefon me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka kërkuar nga të dy palët ta de-eskalojnë situatën në Veri të Kosovës si dhe të zgjedhin ngërçin mes tyre përmes dialogut sa më shpejt të jetë e mundur.
Gjermania kërkon zgjidhje të situatës në veri
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rhode ka reaguar rreth situatës në veri të Kosovës, një ditë më parë, duke bërë thirrje për dialog dhe de-eskalim të situatës.
Sipas tij të dy palët nuk duhet të fajësojnë njëri tjetrin por të gjejnë një rrugëdalje përmes bisedimeve.
“Situata në veri ka nevojë për deeskalim. Unë i bëj thirrje të dyja palëve që të flasin me njëra-tjetrën në vend se të fajësojnë njëri-tjetrin. Mënyra më e mirë, takohuni në Bruksel për të gjetur një rrugëdalje sa më shpejt të jetë e mundur”, ka shkruar Rhode në rrjetin e tij social Twitter.
“Serbia ka ngritur vetëm gatishmërinë ushtarake, jo ushtrinë dhe policinë. Serbia nuk është futur në territorin e Kosovës për shkak të Marrëveshjes së Kumanovës”, tha Vuçiç.