Kjo është dita më e rëndësishme e historisë së viteve të fundit të Mbretërisë së Bashkuar. Votimi i sotëm do të vendosë fatin e Brexit, të ardhmen e vendit dhe atë të Bashkimit Europian.

Qendrat e votimit janë hapur që prej orës 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 22:00 të mbrëmjes. Për këto zgjedhje kanë të drejtë vote 45 milionë britanikë, ndërsa rezultati do të mund të mësohet vetëm në orët e para të së premtes.

Favorit mbetet kryeministri aktual, Boris Johnson dhe partia e tij Konservatore, që, sipas sondazheve, do të arrijë një maxhorancë të plotë. Por, rivali i tij kryesor, laburisti Jeremy Corbyn, është akoma i bindur se mund ta mposhtë.

Kryeministri britanik zgjodhi mëngjesin herët për të votuar, ndërsa ishte i shoqëruar nga qeni i tij, Dilan.

Johnson e përqendroi fushatën e tij elektorale duke bindur qytetarët se është i vetmi kandidat që mund të përmbyllë procesin Brexit. Ai synon që me një mazhorancë të plotë pas 12 dhjetorit, të aprovojë ujdinë e re të arritur me Bashkimin Europian dhe të përfundojë divorcin nga Brukseli deri më 31 janar të 2020.

Rivali i tij, Corbyn, premton mbajtjen e një referendumi të ri për largimin nga BE.

Këto janë zgjedhjet e treta në më pak se pesë vite dhe të parat që mbahen në muajin dhjetor që prej vitit 1923.

VERITAS.COM.AL/