Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka vijuar mendimin dhe ironinë e kryeministres Brnabiç duke i kërkuar që të ndajë mendjen se kë nga marrëveshjet që ka bërë vetë do të respektojë.
Deklarata e Vuçiç u publikua në rrjetet sociale, përpara takimit me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Marrëveshja e Kumanovës, Karta e OKB-së, Rezoluta 1244, Marrëveshja e Brukselit apo Marrëveshja e Uashingtonit. Kemi arritur në dokumentin e gjashtë. Dokumentin e famshëm të Selanikut, për zgjerimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor”, tha Vuçiç.
Ai shtoi se në Marrëveshjen e Selanikut ekziston një klauzolë që thotë se do të mbështetet zbatimi i Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.
“Dhe, në vazhdën e dorëzimit të aplikimit për anëtarësim në BE të së ashtuquajturës Kosovë, pyetja ime është se a do t’i respektojnë dokumentet që i kanë sjellë vetë”, tha Vuçiç.
Liderët e Kosovës nënshkruan më herët dokumentin për aplikimin për anëtarësim në BE, i cili një ditë më vonë do të dorëzohet në Republikën Çeke, e cila kryeson Presidencën e BE-së.