Kryeministri Edi Rama theksoi se Samiti i Diasporës është një udhëkryq që bashkon të gjithë liderët shqiptarë të rajonit pavarësisht bindjeve politike. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë theksoi se të bashkuar në një skuadër “asnjë objektiv, sado ambicioz që të jetë, nuk është i paarritshëm”.
“Përtej simbolikës ky takim dy ditor, vjen edhe me vetëdijen e plotë se në punimet e samitit, të cilat zhvillohen intensivisht jashtë këtyre seancave të mëdha plenare, na është besuar mundësia që të komunikojmë së bashku për të shkruar një tjetër faqe të re për Shqipërinë dhe shqiptarët. Samiti është një udhëkryq ku bashkohen të gjithë pavarësisht bindjeve apo përkatësive politike, përtej të gjitha përkatësive krahinore dhe vendndodhjes së secilit, si shqiptarë që kanë diçka për të thënë, për të dhënë për mënyrën se si duhet t’i qasemi sfidave të botës ku jetojmë, e cila ndikon vendet ku ne jemi dhe njëkohësisht si të bashkojmë më mirë forcat për t’ja dalë në realizimin e ambicieve legjitime dhe të objektivave të përbashkëta.
Nuk mund të lë pa përmendur se ky samit ndodh pak ditë pasi njishat e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, së bashku në një skuadër, jo vetëm e çuan Shqipërinë në Evropë në kuptimin e plotë të fjalës por edhe na ritreguan edhe njëherë se çfarë mund të bëjmë kur bashkojmë talentet, vullnetet dhe forcat dhe mbi të gjitha kur kemi një qëllim dhe strategji për të fituar sepse së bashku asnjë objektiv, sado ambicioz që të jetë, nuk është i paarritshëm. Nëse ka një mësim të madh që të gjithë mund të marrim në të gjitha nivelet, nga të gjithë ata emra që na bëjnë ne krenar si shqiptarë, sepse përmenden me shumë respekt në një botë më të madhe, është mësimi se të gjithë ata kanë pasur një ëndërr më të madhe sesa çfarë mundësitë e tyre mund t’ua këshillonin.
Dhe e kanë bërë realitet. Mira Murati, Dua Lipa, Mira Mezini, Ermonela Jaho, Lorik Cana e me radhë janë emra të cilët kanë rrugë të ndryshme dhe kanë arritur në maja të ndryshme të botës por të përbashkët kanë fuqinë për t’i shkuar deri në fund me çdo çmim realizimit të ëndrrës së tyre. Këta janë ata që ne njohim por sa janë të panjohurit, të cilët kanë bënë të mundur atë që mundësitë e tyre nuk ua këshillonin ta kërkonin. Nëse ka një mësim nga gjithë suksesi i shqiptarëve në diasporë, është mësimi se asnjë ëndërr, sado e madhe, kur njerëzit e shohin me sy hapur, nuk është e paarritshme përderisa e shohin.”, u shpreh kryeministri Rama.