SHBA- Kryetarët në veri të Kosovës duhet t’i kryejnë detyrat jashtë objekteve të komunave dhe Policia duhet të tërhiqet nga zonat afër. Kjo ishte kërkesa e Shteteve të Bashkuara për Kosovën të mërkurën, pas tre ditësh tensionimi në veri.
Në deklaratën zyrtare në uebfaqen e Departamentit Amerikan të Shtetit, sekretari Antony Blinken ka thënë se ka qenë vendimi i Kosovës që të detyrojë hyrjen në ndërtesat komunale në veri të kryetarëve të rinj, ai që nxiti përshkallëzimin e tensioneve.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta detyruar hyrjen në ndërtesat komunale përshkallëzoi tensionet në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme. Kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacionet alternative jashtë ndërtesave komunale dhe të tërheqin forcat policore nga afërsia. Presidenti Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura të Serbisë dhe t’u kërkojnë serbëve të Kosovës të ndalin sfidimin e KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejme”, thuhet në komunikatë.
Një ditë më parë, SHBA-ja njoftoi se ka vendosur ta sanksionojë Kosovën për insistimin e Qeverisë për t’i vendosur kryetarët e komunave në veri në ndërtesat komunale, për çka ka nxitur trazira nga serbët lokalë. Vendimi i parë ishte për ta përjashtuar Kosovën nga stërvitja e madhe ushtarake “Defender Europe 2023”, shprehet ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier. Si pasojë e dhunës nga huliganët serbë, 30 ushtarë të KFOR-it kanë marrë lëndime. Tre prej tyre janë plagosur me armë zjarri.