Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, i bëri thirrje kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që të kallëzojë penalisht ish-kryeministrin Sali Berisha për çështjen e “Toyota Yaris”.

“Meqë Sali Berisha na akuzon të dyve për ‘Toyota Yaris” të bëjë të njëjtën gjë si unë dhe Basha. Unë e kallëzova në gjykatë edhe Basha duhet të bëjë të njëjtën gjë”, tha Balla.

Balla, duke ironizuar akuzën e Berishës ndaj kryedemokratit e quajti veprimin “karma”.

“30 vjet Sali Berisha çfarë nuk ka thënë për këtë pjesë në sallë, tani mbajeni me shëndet. Ka kohë të merret me ju me muaj e me vite dhe për gjërat që ju na keni akuzuar tani me pa të drejtë tani dëgjoni Saliun t’ua thotë ju”, deklaroi Balla ka Kuvendi.

Sali Berisha  ka akuzuar Bashën se në bashkëpunim me Ballën kanë ndarë shumën e parave të gjetura në makinat “Toyota Yaris”.

Ndër të tjera Kreu i grupit Parlamentar i bëri thirrje Bashës që të votonte ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, pasi lidhet dhe me vetting-un e politikanëve.

“Sa i përket ligjit, ju ftoj ta votoni pasi lidhet me vetting-un e politikanëve. Kemi forcuar konceptimin e personit të ekspozuar politikisht dhe personat e lidhur me të”, theksoi Balla.

Ndërsa Basha më herët bëri thirrje që të pranohet vetting-u i politikanëve.

Në përfundim Balla kërkoi që çdo deputet duhej të vaksinohej dhe të respektohet Akti Normativ për mbajtjen e maskës në ambientet e mbyllura.

Kjo e fundit sipas tij nuk po respektohet as nga vetë deputetët në sallë, prandaj ai bëri thirrje se në rast që kjo nuk do të përmirësohet atëherë gjobat të fillojnë nga aty.