Gjykata e Posaçme ka dënuar me 2 vite burg kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri për korrupsion aktiv në zgjedhjet lokale të 2023-it. Ndërsa Pandeli Kokaveshi është dënuar me 1.5 vite burg që i konvertohet në shërbim prove.

Në një fjalim 9 faqesh Beleri anatemoi si prokurorinë dhe policinë për sajim të provave kundër tij, ashtu edhe trupën gjykuese që sipas tij nuk ka pranuar kërkesat e Belerit dhe ka treguar njëanshmeri në gjykim.

‘Pres drejtësi, në vendim jepni drejtësi dhe mos i jepni konotacion patriotik!’- tha ai në gjykatë.

Prokuroria e Posaçme kërkon dënimin me 2 vite e 6 muaj burg për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës. Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi në seancën që u mbajt më 28 shkurt kërkuan pafajësi ose minimumin e dënimit që parashikon vepra penale.

Seanca gjyqësore po ndiqet me vëmendje nga ambasada greke edhe nga mediat fqinje. Grupet e xhirimit të 4 medieve greke ndodhen në GJKKO dhe po ndjekin nga afër seancën. Ndërkohë ndryshe nga herët e tjera kur ka preferuar të jetë vetë e pranishme ambasadorja greke, sot ka dërguar një përfaqësues. I pranishëm është edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës Fredi Beleri u arrestua më 12 maj në lokalin e tij, teksa ofronte para për të vlerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Arrestimi erdhi pas denoncimit në prokurori nga një person, i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave.