Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha të mërkurën se disa formulime për marrëveshjet me Ukrainën janë afër për t’u arritur, me status neutral për Kyivin, përcjell Gazeta Express.
Ai shtoi se Rusia nuk sheh “asnjë shenjë” se SHBA është e interesuar në zgjidhjen e konfliktit.
Kjo vjen pasi negociatori rus Vladimir Medinsky i tha agjencisë së lajmeve Interfax se bisedimet me Ukrainën janë të vështira dhe të ngadalta, por Rusia “sinqerisht” dëshiron paqe sa më shpejt të jetë e mundur.
“Negociatat janë të vështira, po shkojnë ngadalë. Sigurisht, ne do të donim që gjithçka të ndodhte shumë më shpejt, kjo është një dëshirë e sinqertë e palës ruse. Ne duam të arrijmë në paqe sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Medinsky.
“Ne kemi nevojë për një Ukrainë paqësore, të lirë, të pavarur, neutrale – jo një anëtare e blloqeve ushtarake, jo një anëtare e NATO-s”, shtoi ai.