Shqipëria dhe Kosova renditen mes vendeve problematike në raportin e organizatës “Reporterët pa Kufij, Indeksi botëror për lirinë e shtypit, edhe pse kanë shënuar rritje në krahasim me një vit më parë.

Në raportin që përfshin 180 shtete, Shqipëria radhitet në vendin e 96-të, duke shënuar një rritje prej 7 vendesh krahasuar me një vit më parë kur radhitej e 103-a. Organizata pretendon se prokuroria vendosi kufizime disproporcionale për mbulimin e sulmit kibernetik nga Irani.

Kosova radhitet në vendin e 56-të, një rritje prej 5 vendesh në krahasim me vitin e kaluar. “Reporterë pa Kufij” shprehin shqetësimin për gjendjen e lirisë së medias në botë, duke përmendur si arsye kryesore për përkeqësimin e situatës së luftës, shtypjen dhe persekutimin e gazetarëve, kërcënimin nga lajmet e rreme dhe propaganda, që sipas organizatës minojnë gazetarinë e mirëfilltë dhe profesionale.

Indeksi i klasifikon vendet në mjedise “të mira”, “pak a shumë të mira”, “problematike”, “të vështira” ose “shumë të vështira”, për lirinë e shtypit. Norvegjia renditet e para për të shtatin vit radhazi, ndërsa tre vendet e fundit, me gjendjen më të keqe të shtypit në botë janë në Azi: Vietnami, Kina dhe Koreja e Veriut.