Vetëm një ditë pasi ambasadorja suedeze, Elsa Hastad, ngriti nga Shkodra alarmin se shitblerja e votës është shqetësuese edhe në këto zgjedhjet të 25 prillit, pikërisht në këtë qark është goditur rasti i parë i këtij krimi të rëndë zgjedhor.

Personi i parë i arrestuar në këtë fushatë zgjedhore është në zonën e Pukës dhe bëhet fjalë për Vasil Shabanin, të cilit i është gjetur në makinë një shumë prej 528.000 Lekësh dhe një fletë e ngjashme me fletën e votimit. Ndërkohë që i përshirë është edhe kryetari i LSI në Pukë është Demir Syla, i cili është nën hetim në gjendje të lirë.

Policia njofton se personi në pranga ka qenë i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Gjatë kontrollit të ushtruar ne ambientet e biznesit të drejtuesit të LSI-së, policia gjeti dhe sekuestroi dhe një tjetër fletë të ngjashme me fletën e votimit, si dhe një fletë format A4, ku pasqyroheshin lista emërore (emër, atësi, mbiemër) me 27 persona dhe numrat e ID.

Tashmë mbi 2 të akuzuarit rëndojnë akuzat si  “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe i rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”. Pritet që Prokuroria e Pukës ditën e hënë të vlerësojë nëse procedimi penal për korrupsionin zgjedhor do t’i kalojë SPAK-ut për hetim.

VERITAS.COM.AL