Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndoqi nga afër procesin e vaksinimit me njësitë e lëvizshme në zonën e Sukthit, në periferi të Durrësit, ku ka bërë apel për qytetarët të vaksinohen, për t’u mbrojtur nga COVID-19, pasi vaksina mbron edhe nga varianti i ri “Delta”.
Manastirliu tha se janë 7 njësi të lëvizshme vaksinimi që operojnë kryesisht në Tiranë dhe Durrës, për të rritur mbulesën vaksinale.
“Mjekët e familjes kanë bërë një punë të mirë për të lajmëruar të gjithë qytetarët. Janë 7 njësi vaksinimi, të cilat operojnë kryesisht në zonën e Tiranës, Durrësit, por edhe në qytete të tjera, për të rritur mbulesën vaksinale dhe fokusi ynë do të jetë pikërisht në këto qytete, ku mbulesa vaksinale ende nuk është shumë e lartë dhe ka ende nevojë për të ndërgjegjësuar popullatën dhe për të vajtur derë më derë, për të kryer procesin e vaksinimit, që është me rëndësi primare”, tha Manastirliu.
Duke folur për rrezikun e përhapjes të variantit “Delta”, Manastirliu tha se është një moment për ndërgjegjësim, pasi vaksinimi nuk është vetëm përgjegjësi e strukturave shëndetësore, por edhe e qytetarëve.
“Varianti ‘Delta’ është një moment për ndërgjegjësim. Secili prej nesh duhet të ndërgjegjësohet dhe vaksinohet së pari, për të mbrojtur shëndetin e vet. Duke mbrojtur shëndetin e tyre, mbrojnë edhe shëndetin e familjarëve, miqve, të afërmve. Ndaj, vaksinim, vaksinimin, vaksinimin, sepse vetëm nëpërmjet vaksinimit ne do mundemi të luftojmë virusin dhe nuk do të lejojmë që ai të përhapet, sidomos variantet e reja. Varianti ‘Delta’ në qarkullim ka një transmetueshmëri të lartë. Ne po e shohim që edhe në vendin tonë, kemi një rritje të lehtë të rasteve. Jemi të shqetësuar, sepse rritja e rasteve më pas sjell edhe rritje të shtrimeve në spital. Ndaj duhet të rrisim vaksinimin, në mënyrë që të shmangim çdo rritje të hospitalizimeve e fataliteteve”, tha ministrja.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,082,424 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Prej tyre 472,886 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antikovid.
Vaksinimi masiv vijon edhe nëpërmjet njësive të lëvizshme në komunitet, krahas vaksinimit në pikat e përqendruara të vaksinimit dhe në qendrat shëndetësore kudo në vend.
Java e vaksinimit të hapur për qytetarët +18 vjeç vijon deri të dielën, nga ora 08:00 e mëngjesit deri në 20:00 të mbrëmjes, për të kryer pa kufizim vaksinën antikovid.
VERITAS.COM.AL