Referendum e ka cilësuar kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti procesin zgjedhor të kësaj të mërkurë për presidentin e ri në Maqedoninë e Veriut, ku sipas tij, qytetarët do të përcaktojnë nëse janë për integrimin evropian dhe të ardhmen.
Pasi hodhi votën e tij në Kërçovë, Ahmeti u shpreh për mediat se shpreson që zgjedhjet të zhvillohen sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
Ahmeti shtoi se këto zgjedhje do të kenë impakt edhe në zgjedhjet parlamentare.
‘Uroj që këto zgjedhje të jenë sipas të gjitha standardeve evropiane. Ne si shtet, jemi në objektiv të vendeve të Bashkimit Evropian, sepse njëri nga standardet më të domosdoshme që duhen përmbushur, është edhe organizimi i zgjedhjeve, standardet që aplikohen, uroj që procesi të shkojë mirë, edhe pse të gjitha partitë poltike kanë pasur angazhim në një proces të rregullt. Uroj që i gjithë ky apel që është bërë, që të pëmbushet, të ketë zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike dhe të fitojë më i miri, ai që i ka bindur qytetarët mbi platformën dhe realizimin që do i bëjë në mandatin që do e fitojë. Mendoj që mund të ketë edhe është natyrshëm të ketë impakt në zgjedhjet parlamentare, sepse e një rëndësie të veçantë janë këto zgjedhje. Këto nuk janë zgjedhje dosido, është një referendum ku do të përcaktojnë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, a janë për Europën, ardhmërinë, rregullimin e marrëdhënieve të qëndrueshme me të gjithë fqinjët, mendoj që zgjedhjet presidenciale do të kenë impakt të drejtpërdrejt edhe në zgjedhjet parlamentare. Unë nuk dua të flas për situata hipotetike, ne kemi punuar që zoti Osmani të garojë për president të Maqedonisë së Veriut”, theksoi ai.