Opozita dhe mazhoranca në Komisionin e Ligjeve kanë rënë dakord për rritjen e pagave për punonjësit e administratës publike dhe institucionet e tjera kushtetuse dhe të pavarura.

E pranishme ishte edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj e cila shpjegoi se do të përfitojnë 130 331 punonjës të administratës. Nga kjo rritje e pagave nuk do të preken deputetët dhe ministrat.

“Nga ligji përfitojnë 250 funksionarë politikë, që pagën e kanë të lidhur me atë të presidentin. Efekti financiar llogaritet 20 mln lekë. Paga e presidentit rritet në 425 000 lekë, nga 257 000 që është aktualisht. Koeficientet, që lidhen me kuvendin dhe qeverisë, ato janë përjashtuar pa ndryshuar nivelin aktual të pagave, për ta parë në një moment të dytë. Grupet e prekura indirektë administrata qendrore dhe vendore. Shtrihet në dy vite efekti. Kostoja totale e kësaj politike 39 mld lekë në 1 janar 2025. 1 mld lekë, efekti i zbatimit të vendimit të GJK për vitin 2023. Në total 130 330 punonjës”, tha Ibrahimaj.

Organet që do të kenë kompetencë për të përcaktuar pagat janë Kuvendi, Këshilli i Ministrave, Këshillat Bashkiakë, Organet Kolegjialet drejtuese, Organet Kolegjiale drejtuese të institucioneve të pavarura. Duke qenë se paketa ligjore nuk parashikon rritje të pagës për deputetët dhe ministrat, pati debate në mbledhjen e ‘Ligjeve’. Ligjëvënësit e të dyja kahëve politikë kërkuan rishikimin e pagës edhe për deputetët. Opozita ngriti edhe shqetësimin se rritja e pagave ishte një instrument i përdorur nga qeveria për fushatë zgjedhore. Por kjo u mohua nga Ibrahimaj, e cila u shpreh se ishte paralajmëruar.

Debat pati edhe për pensionet, ku opozita u shpreh e shqetësuar për dështimin e sistemit.  Por Ibrahimaj, paralajmëroi se shumë shpejt do të ketë edhe një reforme në sistemin e pensioneve. Rritja e pagave pritet të realizohet në dy faza dhe niveli i rritjes varion nga 20-40% në fund të 2024.