Në Maqedoni është lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar për ish- kryeministrin e vendit, Nikola Gruevski, pas një vendimi gjyqësor që e dënon me dy vjet burgim nën akuzën e ‘shpërdorimit të fondeve publike”. Politika, gazetë e vjetër e Beogradit shkruan se ish-kryeministri Nikola Gruevski, është arratisur drejt Hungarisë teksa ka kërkuar azil politik në Hungari.

Mediat serbe shkruajnë se Gruevski ka kaluar kufirin maqedono-shqiptar me një pasaportë të rreme dhe ka arritur në mënyrë të paligjshme në Tiranë, ku është pranuar më pas në Ambasadën hungareze.

‘Nga mëngjesi i parë me anë të kompanisë Malev ka fluturuar direkt nga Tirana në Budapest. Ekuipazhi i avionit nuk e ka ditur se kush është udhëtari me kapelë në kokë dhe syze dielli të cilat nuk i ka hequr as në avion, shkruan e përditshmja serbe “Politika”.

Spekulimi mediatik ka të bëjë me kompaninë e fluturimeve ‘Malev’ e cila ka falimentuar para dy vitesh dhe që nuk ekziston as në Tiranë.

Me avionin e parë të kompanisë hungareze Gruevski mbërriti direkt nga Tirana në Budapest. Lajmi i arratisjes së ish-kryeministrit, ka zënë faqet e para të mediave të rajonit por edhe më gjerë. Ndërkohë, opozita hungareze ka kërkuar me urgjencë dëbimin dhe largimin e ish-kryeministrit të  Maqedonisë. Gjithashtu autoritetet shqiptare po verifikojnë vërtetësinë e lajmit të mediave serbe.

Ambasada hungareze në Tiranë, e kontaktuar nga Top Channel, as nuk pohoi dhe as nuk mohoi raportet e mediave rajonale, por u mjaftua me një përgjigje të thatë se “nuk komentojnë për procese që janë në zhvillim e sipër”, duke iu referuar faktit se kërkesa për azil e Gruevskit po shqyrtohet nga Budapesti.

Veritas.com.al/