Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias ka kontaktuar me kryeministrin Edi Rama pas arrestimit të Fredi Belerit për shitblerje votash. Biseda mes tyre vjen pasi ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi, pas udhëzimeve të Dendias zhvilloi një takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Burimet për ABC News thanë se ambasadorja nuk ka dërguar një notë proteste për Shqipërinë për këtë ngjarje. Arrestimi i Belerit vjen pak orë nga zgjedhjet e 14 Majit. Ai u arrestua pak pas mesnate në lokalin e tij në Himarë pas një operacioni të policisë dhe Prokurorisë së Vlorës.
Rama reagoi për arrestimin e tij duke thënë se: “Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën F.Beleri me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar!”