Nga Fieri Ilir Meta ka kthyer përgjigje për akuzat e Ramës nga Vlora. Presidenti ka qenë i ashpër dhe nuk ka lënë mënjanë as kërcënimet. Ai tregon se ka ftuar për një darkë me gazetarët në Vlorë edhe Damian Gjiknurin por ai nuk ka pranuar.
“Unë dje kam pasur një darkë me të gjithë gazetarët e Vlorës. Kisha ftuar edhe Gjiknurin dhe Leskajn. Madje z. Gjiknuri e ftova përmes një telefonate në prani të dy kolegëve tuaj gazetarë. Ai nuk ka pranuar të vijë. Detyrohet nga Rama të shpifë. Të jetë i qetë edhe Kryeministri edhe ‘Tërmeti’, deri më 26 prill do të jem në Vlorë. Janë të ftuar të vijnë të rrinë me mua. Të mësojnë poezinë e Ali Asllanit dhe të kuptojnë që me Vlorën nuk bëhet shaka, ‘Vlora ia bën fora'”, tha Meta.
Ai thotë se e kupton pse Rama e ka shqetësimin me Ilir Metën.
“E para sepse Ilir Meta do të bëjë gjithçka që të ketë zgjedhje të lira dhe e dyta është se ai gjithnjë ka bërë gjithçka për manipulimin e votës. Kjo është një betejë finale por jo një betejë mes Ilir Metës dhe Edi Ramës”, u shpreh Meta.
“Ai nuk e di që dekrete vetëm Presidenti nxjerr. Kur sulmohet rendi kushtetuese i gjithë populli bëhet ushtar, dhe Presidenti është ushtari i parë dhe merr gjithë përgjegjësitë para të gjithë popullit ushtar. Ta ketë të qartë se ai është mësuar të korruptojë burra që turpërojnë edhe fjalën prostitutë. Por duhet ta dijnë që më 25 prill do ta marrin përgjigjen nga vajzat dhe nënat e gjithë Shqipërisë që nuk duan të jetojnë në shtëpitë e zbrazura nga të rinjtë që kanë ikur. Fajin e ka Edi Rama që i shërben mafias ndërkombëtare”, tha ndër të tjera nga Fieri Presidenti i Republikës Ilir Meta.
Deklarata e Presidentit Meta u bë pasi Rama u largua nga Vlora ku ndodhej për të ndjekur procesin e vaksinimit. Rama tha se Ilir Meta tashmë është kandidat zyrtar i Partisë së tij në Vlorë. Madje e akuzoi atë se vjen i shoqëruar nga subjektet e OFL dhe me gjykatës e Prokurorë që janë nxjerë jashtë nga procesi i vettingut.
VERITAS.COM.AL