Në një panel të Forumit të Dubrovnikut, ku morën pjesë diplomatë të rajonit përfshirë edhe Emisarin e BE-së Miroslav Lajçak dhe Ndihmës Sekretarin për Evropë dhe Eurazi James O’Brien është shënuar një përplasje.
I pyetur nga moderatori Michael Martens nëse procesi i anëtarësimit në BE është një proces i bazuar në merita, kryediplomati shqiptar Igli Hasani ka adresuar kritika duke thënë se “forcat centripetale drejt BE-së duhen rritur” dhe se Shqipëria do të vazhdojë t’i përmbush kriteret e kërkuara dhe “se këtë nuk e bën për shkak të BE, por për shkak të vetë Shqipërisë”.
“Kam vështirësi të kuptoj se vendi im e ka organizuar e vetme një konferencë ndërqeveritare Shqipëri-BE, dhe po ashtu edhe tjerët kanë bërë këtë. Kaq”, tha ai. Kryediplomati Hasani i është referuar konferencës së parë Shqipëri BE të vitit 2022, për çeljen e negociatave.
Ndaj kësaj ka reaguar Lajçak, i cili është Përfaqësues i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor dhe Emisar për dialogun Kosovë-Serbi.
“Ndihem i obliguar që të përgjigjem në pyetjen që i bëri ministrit Hasani. Dua të them se ky proces është absolutisht i bazuar në merita. Ka shumë politikë dhe gjeopolitikë në fazën përgatitore, vendimi për të dhënë statusin e kandidatit, ftesa për hapjen e negociatave për anëtarësim, por pasi të jeni në proces të anëtarësimit ju duhet të përmbushni kriteret, s’ka rrugë të shkurtër” ka thënë Lajçak.
Ndaj këtij konstatimi ka reaguar menjëherë kryediplomati shqiptar.
“Nuk thash asnjëherë rrugë të shkurtra Mmegjithë respektin ti je për dialogun Beograd -Prishtinë. Kështu që dua të jem i qartë në një gjë. S’kemi kushte për kushtet që na janë vënë. Le të jem i qartë për këtë”, ka thënë Hasani.
Lajçak i reagoi duke thënë se “nuk jam duke polemizuar me ty Igli”.
I menjëhershëm ishte reagimi i Hasaniit i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë i kërkoi që të merret me dialogun Kosovë -Serbi, madje me ironi duke ia përmendur rezultatet.
“Po, po, por rri te dialogu, do të jemi të lumtur nëse ke ndonjë rezultat, do të mbështesim, do të mbështesim vazhdueshëm siç kemi bërë…por rri te dialogu”, tha Hasani.
Sllovaku iu përgjigj duke thënë se “mandati im është më i gjerë se dialogu, çështjet rajonale”.
Hasani vazhdoi: “Po, por ndalu te dialogu”.
Nuk mungoi as përgjigja e Lajçak me çka u mbyll polemika e shkurtër dhe intensive mes dy protagonistëve.