Agjencia e Mbrojtjes Civile ka publikuar të dhënat më të fundit në lidhje me situatën e përmbytjeve si pasojë e reshjeve të shumta që kanë përfshirë vendin tonë në ditët e fundit.

Kështu, sipas të dhënave nga Drejtoria e Gatishmërisë dhe Koordinimit të Përgjigjes Emergjente, reshjet e rëna gjatë natës kanë shkaktuar problematika në disa qarqe të vendit. Agjencia e Mbrojtjes Civile njofton se ka vënë në dispozicion të bashkisë së Shkodrës mjete të kalueshmërisë së lartë dhe mjete ujore.

“Një mjet i kalueshmërisë së lartë dhe efektivë të FA janë angazhuar në ndihmë të banorëve në njësinë Ana e Malit, fshati Obot. Si pasojë e reshjeve të shumta orët e fundit aksi kryesor i kësaj rruge është bllokuar, duke e bërë të pakalueshme nga mjetet e vogla.

Ndërkohë vijon tërheqja e ujit në disa sipërfaqe toke në Bërdicë, Guri i Zi e Velipojë. Punonjës të ARRSH janë duke punuar për pastrimin e dherave në akset Theth-Breglumi, Darragjat-Shirq, njësia administrative Dajç si dhe në rrugën e Lumit të Vlorës në vendin e quajtur ” Qafa e Pëllumbit”.

Tërheqje të ujit ka edhe nga sipërfaqet në qarkun e Lezhës, në njësinë Balldren, ish-këneta e Torovicës, në zonën e Laçit, ish kënetën e Gjonëmit. Sipas raportimeve hidrovorët punojnë normalisht, nën kuotat kritike. Kuotat e lumenjve Drin, Gjadër dhe Mat janë normale.

Në fshatin Kishavec, bashkia Dibër janë evakuuar disa bagëti, për shkak të depërtimi të ujit nga përroi i fshatit, ndërsa po punohet për riparimin e dëmtimeve në urën e Çikut. Në fshatrat Toplane-Serme, njësia administrative Temal dhe në zonën e Vermoshit, punonjësit e OSHEE ndodhen në terren për rikthimin e furnizimit me energji elektrike në këto zona.

Në të gjitha qarqet e tjera të vendit situata paraqitet normale. Agjencia e Mbrojtjes Civile, në Ministrinë e Mbrojtjes është e gatshme t’u përgjigjet në çdo kohë kërkesave të pushtetit vendor, duke vënë në dispozicion të komuniteteve të gjitha kapacitetet e nevojshme.”