Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, të enjten e 10 shkurtit ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, Eduart Kukan.

“Eduard Kukan, një mik i mirë i Shqipërisë, të cilit i jemi thellësisht mirënjohës për diplomacinë e tij të mençur dhe mbështetjen për integrimin tonë evropian”, shkruan Xhaçka në median sociale Twitter.

 

Lajmin për vdekjen e Kukan, e dha mëngjesin e kësaj dite Ministria e Jashtme sllovake.

Përveçse ministër i Jashtëm i Sllovakisë, ai ka qenë edhe deputet në Parlamentin Evropian.

“Vendimet e tij bënë të mundur anëtarësimin e Sllovakisë në Bashkimin Evropian dhe NATO”, thuhej në postimin e Ministrisë së Jashtme sllovake.

Kukan ka qenë një nga mbështetësit e Shqipërisë në Parlamentin Evropian, kryetar i Grupit të Komitetit të Punëve të Jashtme të PE-së për Ballkanin Perëndimor dhe shpesh pjesë e delegacioneve ndërkombëtare që ndërmjetësonin krizat e politikës shqiptare.

Ai ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare.