Frrok Çupi/

Do të doja që këta të fitonin. Domethënë që opozita të fitojë. Sepse, në substancë, është rinuese fitorja e të resë, bie fjala e opozitës. Sot dalin në shesh, për të nëntën herë, që të fitojnë. Deri më sot ‘kanë fituar’ edhe tetë herë të tjera; kjo është e nënta, në ora 8.

Njëmijë herë i kanë mashtruar besnikët e tyre: ‘Kësaj here nisemi për në Tiranë se rrëzojmë kryeministrin’. Ata që nuk janë mbajtur në burgje, janë kthyer në shtëpi dhe kanë parë veten në televizor; u ka ardhur turp nga fëmijët dhe gratë.

Por nuk fitojnë as sot, as njëmijë vjet. Këta po kërkojnë të pamundurën.

Sepse nuk mund të fitojë dhuna:

Me dhunë njeriu nuk ka fituar as kundër kafshëve të egra; e jo më kundër njerëzve të tij. Ndoshta mijëra  vjet që nuk është përdorur dhuna për të fituar; të paktën qëkurse njeriu u quajt ‘homo sapiens’. As spartanët ‘e ashpër’ nuk bazoheshin te dhuna për fitore, por te mendja… Tani imagjinoni që në mes të Evropës, në mes të Tiranës, kur njerëzimi këtu po përparon fuqishëm, ti vjen e i tregon hurin dhe bombën. Po çfarë është kjo, more? Bën protestën e radhës dhe teksa largohesh, iu thua banorëve të qytetit: ‘Hajt, se do të vijmë t’ju rrahim në datë 21’, në 13 a në 8, a në datë tjetër, siç ka ndodhur… Na vjen kaq rëndë kur e mendojmë, fyhemi kaq shumë, secili ndjehet i dhunuar edhe pse mund të jetë në shtëpi të tij. Gjitha bota e përparuar e ka marrë vesh çfarë ndodh me dhunën këtu… Bota po i mbyll dyert këtij fenomeni tmerr. Se nuk është parë në glob. Ja e more pushtetin me dhunë? Pas 8 minutash të orës 8, e dorëzon prapë. Bota po forcohet që ta bëjë sa më të pamundur këtë që ndodh në Shqipëri.

Sepse nuk mund të ‘mërzitesh’ në opozitë dhe të tërbosh:

Në opozitë- në opozitë!; atë vend ke fituar. Nuk është keq opozita; pesë dekada kërkuam të ishim opozitë legale, por kot. Këta ‘u mërzitën’ në opozitë dhe goditën Demokracinë, fillimisht duke braktisur e pastaj duke i vënë zjarrin Parlamentit. Po çfarë të bëjmë tani ne të tjerët? ‘Ju të tjerët na hapni rrugën se do të vimë ne!’ Si kështu? ‘Do të shndërroheni nga opozitë në maxhorancë brenda orës? ‘Po!’ thatë ju. E pamundur, mor mik! Kur e mori vesh bota e qytetëruar këtë gjë, iu dridh mishtë! Po sikur virusi i pakicës shqiptare të kapte vendet e botës?. Atëherë në këtë rruzull në kaos njeriu do të hante njeriun. Prandaj është e pamundur.

Sepse nuk mund të bësh si banditët që iu dalin karvanëve dhe u marrin kuletat:

Në këtë rast dalin, zënë rrugët ku do të kalojë kryeministri dhe i kërkojnë: ‘O jetën, o kuletën!’ Kuleta e qeverisë është pushteti. Kështu sot e kështu dje e kështu nesër… Po ça jemi ne, mor vëllezër opozitarë?! Na vjen turp për ju, sinqerisht. Na vjen turp për presidentin e shtetit; ai rri në skutën e vet dhe drejton dhunën mbi popullin. Po na quajnë prapë ‘me bisht’ more të paudhë! A e mendoni dot sa tmerrohet bota e qytetëruar kur shikon këto pamje tuajat!? Tmerrohet deri në palcë dhe lutet që të mos kthehet viti ‘minus 4000 000’.

Se është e pamundur.

Se është e pamundur, vëllezër që në jetën tuaj të fitoni më, edhe sikur të pranoni të shkoni në zgjedhje. Se ju keni frikësuar njeriun dhe keni shpallur moton ‘duam pushtetin, por jo në zgjedhje!’.  Ta zëmë se do t’u shkrihet akulli dhe do të thoni: ‘po, zgjedhje!’. Po si mund të votojnë qytetarët për ju që iu keni ushtruar frikë e dhunë, që iu keni manifestuar mungesë totale qytetarie, që iu keni paraqitur fytyrën e absurdit dhe të budallait?… Po kurrë në jetë, e pamundur!

Thonë disa se nuk jeni edhe aq absurd… Sepse thonë se ‘kanë të drejtë’…,  e thonë me ironi. Keni të drejtë meqë paskeni kryer krime monstruozë për 30 vjet… Tani po vjen Drejtësia e re e stilit amerikano- evropian. E ju mendoi se do të digjni çdo arkiv?… Po, e mundur kjo, i digjni. Se do të digjni çdo letër?… Po e mundur. Se do të digjni gjithë zyrat e shtetit?… Po, e mundur….

Por nuk mund të digjni të gjithë sytë e njerëzve; kjo është e pamundur.

Atëherë pse vini prapë sonte në ora 8?

VERITAS.COM.AL/