Drejtori ekzekutiv i KIPRED-it, Lulzim Peci, ka kritikuar qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj shtetit të Shqipërisë, sa u përket zhvillimeve të fundit. Sipas tij nëse Kosova po do të mbytet vetë, atëherë nuk duhet t’i mbetet hatri që Shqipëria nuk po mbytet më të.
“Nëse po dëshirojmë të mbytemi vet, nuk ka asnjë arsye që të na mbetet hatri se pse Shqipëria nuk po dëshiron të mbytet me ne!
Kur e bën njet me bë vetëvrasje, askush nuk mundet të të shpëtojë, edhe nëse e ke prind, vëlla apo motër! Fikë se fikë, bile me muzikë!”, ka shkruar Peci në Facebook.
Të martën kryeministrit i Shqipërisë Edi Rama ka thënë se mbledhja e dy qeverive shqiptare e parshikuar të mbahej sot në Gjakovë, ishte anuluar.
Ai ka thënë se kishte propozuar një takim më të reduktuar, por se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka pranuar formatin e ri të takimit.
Pas kësaj ka reaguar Qeveria e Kosovës, duke vlerësuar se është hera e parë që një mbledhje e përbashkët anulohet njëanshëm.
Ajo ka fajësuar kryeministrin Rama, për anulimin e mbledhjes ndërqeveritare duke thënë se takimet bilaterale që i ka kërkuar Rama do të mund t’i zhvillonin secilën ditë tjetër.