“Më 1 maj nis epoka e re e shërbimeve pa sportele. Gjitha shërbimet bëhen digjitale”.

Kjo ka qenë deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të mërkurën e 27 prillit, gjatë një aktiviteti informues për mbylljen e sporteleve të shërbimeve publike dhe digjitalizimit të tyre.

Kryeministri theksoi se falë digjitalizimit të këtyre shërbimeve do të kapërcehet hendeku mes punonjësve dhe qytetarëve. Si dhe minohet korrupsioni në administrata publike për të marrë çfarëdolloj shërbimi.

“Janë 7 milionë euro që janë kursyer nga sportelet që harxhoheshin për të marrë letra. Është e padrejtë që njerëzve vazhdon dhe i jepen certifikatë letër”, tha Rama gjatë fjalës së tij.

Sipas Ramës platforma është gati dhe mjafton që qytetarët të kenë një “smartphone” celular për të kërkuar shërbimet.

“Nuk ka nevojë të lëvizë qytetari nga vendi. Mjafton të hyjë te platforma dhe ka marrë shërbimin”, vijoi Rama.

Ndër të tjera kreu i qeverisë përmendi njohjen e patentave shqiptare nga Gjermania.

Ndër të tjera kreu i qeverisë përmendi njohjen e patentave shqiptare nga Gjermania, pasi kjo e fundit nuk e pranonte procesin e dhënies së mënyrës së dhënies së lejeve të drejtimit në vendin tonë.

“Ka pasur leje drejtimi që janë dhënë në mënyrë të parregullt, kjo e bënte të pamundur që Gjermania të njihte lejet e drejtimit të Shqipërisë”, theksoi Kryeministri.

Ai përmendi këtë për të bërë të ditur se digjitalizimi i shërbimeve solli njohjen e patentave nga gjermanët.

Numri një i qeverisë vuri në dukje se Shqipëria është renditur e 17 për shërbimet digjitale.

Ndërsa sa i takon punonjësve të sporteleve, Rama u shpreh se ata do të vazhdojnë punën me plotësimin e dosjeve të kërkuara online nga qytetarët.

“Nëse për të marrë një dokument, duhen edhe pesë të tjera – që deri dje ishte i detyruar t’i merrte qytetari – pas datës 1 maj të gjitha do garantohen nga sistemi”.

Rama e përmbylli me një mesazh se, “jemi në një fazë ku përmbyllim një pjesë të konsiderueshme të revolucionit digjital dhe i japim një shtytje larg korrupsionit në shërbim, bakshishit dhe ryshfetit”.

Premtimi i Ramës në zgjedhjet parlamentare të 21 prillit 2021 ishte pikërisht “revolucioni digjital”.