Qeveria ka planifikuar miratimin e 429 vendimeve dhe projektligje gjatë vitit 2018.

Gjatë vitit 2018, është planifikuar edhe miratimi i një projektligji dhe 8 projektvendimeve, që synojnë rritjen e masave të sigurisë për personalitetet e larta shtetërore, por edhe zgjerimin e listës me funksionarët e lartë që do të merren nën ruajtje. Nismat reflektohen në një vendim të Këshillit të Ministrave, i zbardhur ne datën 24.1.2018.

Njëri nga projektvendimet parashikon ngritjen e një instituti të posaçëm, i cili do të merret vetëm me formimin dhe kualifikimin e shërbimit të sigurisë së personaliteteve të larta shtetërore. Ky projektvendim synon përgatitjen profesionale dhe fizike të punonjësve të këtij shërbimi, që do t’u besohet jeta e shtetarëve tanë.

Është planifikuar miratimi i një tjetër projektvendimi për përcaktimin e personaliteteve të tjera që do të mbrohen nga shërbimi i sigurisë së personaliteteve të larta shtetërore. Në listën e personaliteteve që do të ruhen, do të përfshihen edhe krerët e organeve të reja të drejtësisë si kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit, kreu i Prokurorisë së Posaçme, tj. Në këtë kuadër, do të shtohen edhe objektet dhe rezidencat që do të sigurohen nga shërbimi i sigurisë së personaliteteve të larta shtetërore.

Një tjetër projektvendim do të përcaktojë armatimin dhe mjetet teknike të posaçme për punonjësit që do të kujdesen për sigurinë e personaliteteve të larta shtetërore. Armët dhe mjetet do të jenë si ata të shërbimeve të vendeve homologe, që do të thotë ndryshim i armëve dhe mjeteve aktuale. Një tjetër projektvendim do të përcaktojë automjetet e posaçme për transportin e personaliteteve të larta shtetërore. Projektvendim synon standardizimin e automjeteve të posaçme për transportin e zyrtarëve të lartë.

Sipas dokumentit, të gjitha këto vendime do të miratohet brenda vitit 2018.

Personalitetet që ruhen aktualisht nga Garda e Republikës:

Ligji për Gardën e Republikës ka përcaktuar personalitetet e larta shtetërore që ruhen nga shërbimi i sigurisë. Aktualisht, garda ruan e mbron presidentin, kryetarin e kuvendit, kryeministrin si dhe familjet e tyre. Garda mbron personalitetet e huaja, që vijnë në vendin tonë. Po ashtu, ruan kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, zëvendëskryetarët e Kuvendit, anëtarët e Këshillit të Ministrave, kryetarin e Gjykatës së Lartë, Prokurorin e Përgjithshëm, kryetarin e SHISH-it, kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Guvernatorin e Bankës së Shtetit, Avokatin e Popullit, kryetarin e KQZ-së, kryetarin e opozitës dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Presidenti ruhet edhe katër vite të tjera pas mbarimit të mandatit, ndërsa kryeministri edhe tre vite të tjera. Gjithashtu, garda ruan banesat e të gjithë të lartpërmendurve si dhe institucionet shtetërore ku ushtrojnë detyrën.

Veritas.com.al/