Deputetja Majlinda Bregu, e Partisë Demokratike, ka kërkuar që të miratohet ligji mbi fshirjen e mesazheve fyese në internet. Sipas ligjit të propozuar nga zonja Bregu, vetë ‘autorët e mesazheve’ fyese të detyrohen që t’i fshijnë.

Deputetja ka ndërmarrë një nismë ligjore dhe ka depozituar në Kuvend nismën që do t’i detyrojë portalet të fshijnë komentet fyese. Siç merret vesh, deputetja e paska ndërmarrë këtë nismë që më herët, por e ka përsëritur ditët e fundit. Por më parë, kur Partia Demokratike që përfaqësohet në Kuvend edhe nga zonja Bregu, ishte në maxhorancë, iniciativa e saj ligjore nuk u shqyrtua asnjëherë.

Në një prononcim për GSh, Majlinda Bregu pranon se afatet kanë kaluar, për faj të deputetit tjetër demokrat Genc Pollo.

Deputetja Bregu i ka dërguar një letër kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, ku kërkon shqyrtimin e draftit që ka depozituar në zyrat e Kuvendit.

“Gjykata e të drejtave të Njeriut në Strasburg gjykoi se fshirja e komenteve fyese nuk cenon lirinë e shprehjes. Vendimet e kësaj gjykate- tha ajo- prevalojnë dhe në drejtësinë shqiptare, nisma u la në heshtje nga ligjvënësit shqiptarë”.

Majlinda Bregu ka qenë Ministre e Integrimit nga radhët e Partisë Demokratike. Kohët e fundit është kthyer në një oponent e fortë ndaj lidershipit të PD. Ka zëra që thonë se Bregu po afrohet me kryetarin e Partisë Socialiste, Rama, edhe për shkak të disa projekteve përfituese që lëshohen nga qeveria socialiste.

/ Veritas.com.al/