Sipas Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, Konferenca rajonale e organizuar nën kujdesin e Qeverisë së Norvegjisë, mbi ‘Mundësitë e zhvillimit të energjisë së ripërtëritshme në Ballkanin Perëndimor’, është një mundësi e shkëlqyer për masterplanin rajonal të energjisë
Kështu ka thënë kreu i Qeverisë në fjalën e tij në mbyllje të konferencës, duke dhënë shpresë për vijimin e mëtejshëm të bisedimeve shumëpalëshe rreth këtij zhvillimi.
“Kjo nuk është veç një mundësi e shkëlqyer, por edhe një mbledhje e nevojshme”, tha ai, duke përshkruar kohën e vështirë në të cilën kontinenti ndodhet, mes luftës në Ukrainë, inflacionit në rritje dhe krizës energjetike.
Ndaj, mbi këtë premisë, thekson se duhet shkuar përtej kufijve, ose në të kundërt, rrezikohet që tregjet të mbeten të vogla si të ndara, duke penalizuar vetë shtetet.
“Ajo çfarë na duhet dhe për të cilën kemi nevojë, mund të jetë shumë më e kushtueshme nëse mbetemi të vegjël”, përsiati kryeministri, duke vijuar të shpjegojë se si një treg i përbashkët rajonal, ka mundësi më të mëdha për të thithur investimet e huaja, duke përmendur ato norvegjeze, me rastin e mbledhjes së kësaj konference.