Nga Ardit Rada
Që prej ditës që Sali Berisha foli për çadra pistoletë dhe thika me helm në protestën e 21 Janarit duket se papërgjegjshmëria u legjitimua tek ky njeri si pjesë patologjike e tij. Para kësaj, nxirte vartësit të akuzonin CIA-n për rebelimin e 1997 apo e quante UÇK-në organizatë terroriste përmes gazetës së PD. Asnjëherë me gojën e tij. Por prej 12 vitesh i ka dalë vetë për zot marrëzive dhe nuk përton të publikojë edhe kitaristë të njohur sikur janë Erion Veliaj, apo të shantazhojë diplomatët dhe ministret e qeverisë se i ka kapur në një video me orgji.
Ky profil i një njeriu që ditën e zgjedhjeve mbledh nipërit e mbesat për drekë dhe 364 ditë të tjera vjell vrer me pullë të kuqe e kronikë të zezë duket se është një nga shkaqet përse shqiptarët nuk e qasin më. Pasi ishte betuar bashkë me Ilir Metën se do ta mbronin votën, ky i fundit e gjeti përgjigjen disi me “bindëse”: Zgjedhjet ishin manipuluar para se të fillonin.
Me demek, këta ishin zotuar se do t’i mbronin nga 14 maji e tutje, por se ç’ka ndodhur më parë s’e gjenin dot. Këtë teori e përforcoi edhe Berisha, i cili duke fyer çdo votues në konferencën me gazetarët pas humbjes tha: “Unë nuk mbaj dot përgjegjësi se votuesi shitet dhe blihet. Ajo është fytyra dhe karakteri i secilit”. Sot, rezultati i zgjedhjeve të 14 Majit duhet ta kishte çuar peshë PD-në kundër Sali Berishës. Por në kushtet kur demokratët pro-perëndimorë kanë forume e struktura të ndryshme nga ai, duket se asgjë nuk do të ndodhë.
Të gjithë e kuptojmë se “fajtori” për ‘Bashkë Fitojmë’ është populli që nuk e kupton koalicionin aspak kimik Berisha-Meta. S’kupton Sali Berishën që s’njeh baxhanakun. S’kupton Ilir Metën që fëmijët i ka në Britani të Madhe dhe vë kujën pse po ikin shqiptarët e varfër për një jetë më të mirë. S’kuptojnë as pse Lefter Maliqi duhet votuar patjetër sërish, njësoj si kur ishte deputet i PD, si kur ishte kryekomunar i LSI dhe po ashtu kur ishte zv.drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve me PS.
Pra sot, për opozitën është rrugë me e shkurtër të ndërrohet populli që s’jep mirëkuptimin sesa të ndërrohen liderët. Si Berisha dhe Meta s’luajnë vendit për asnjë arsye nën pretendimin se i vodhën atë për të cilën ishin zotuar ta mbronin. Nuk i gjej dot arsyet pse Edi Rama vodhi Këlcyrën dhe jo Himarën e turizmit. As pse vodhi Tropojën, por jo Fushë-Arrëzin e Pukën e minierave. U la Kavajën e bregdetit dhe i duhej Divjaka që i ka ikur deti 10 kilometra larg nga bregu. E kështu me radhë!
Pjesa më dëshpëruese e PD dhe PL sot nuk është veç fakti që nuk ikin dy drejtuesit, por edhe e ardhmja. Dy baza të shkrira në një, që i mban bashkë nostalgjia për kohën e qeverisjes 2009-2013, nuk mund të nxjerrin asnjë lider të ri. Ca për faj të mënyrës si e kanë drejtuar këta të vjetrit opozitën, e ca prej menyrës sesi ata i kanë larguar të rinjtë nga partitë e tyre.
Sot si PD, ashtu edhe PL, duhet të gjejnë një kompani rekrutimi, si ato që gjejnë punonjës për bizneset. Dhe t’i japin listën: Duam një kryetar me këto kritere, me këtë pagë dhe këto afate e objektiva. Ndryshe opozita do të vijojë si makina e Sajmir Tahirit, thoshte dikush para ca vitesh që s’jam i autorizuar t’ia përmend emrin! Njëherë ia hipën PD-së Basha dhe kur i duhet Berishës ia merr sërish. Sikurse Petriti e mori LSI-në nga Iliri dhe ia la pastaj Monikës. Kur u mërzit Monika, ia hipi sërish Iliri…