Nga Pascale Hugues/
Kandidati i PSD-së lë pas për të parën herë kancelaren në sondazhet për zgjedhjet e vjeshtës së ardhshme.
Të gjitha dritat ishin të kuqe këtë pasdite në selinë e kancelares, kur u publikuan rezultatet e sondazhit të fundit i sponsorizuar nga Bild-Zeitung. Për herë të parë që nga shpallja e kandidaturës së tij para dy javësh, socialdemokrati Martin Schulz del përpara Angela Merkelit. 31% për partinë e kandidatit të ri të PSD-së kundrejt 30% të kandidates, kancelare në detyrë. Një diferencë modeste, sigurisht, por që ka një vlerë të fortë simbolike. Nëse deri tani nuk kishte dilema për zgjedhjet e 24 shtatorit, çdo gjë tani duket plotësisht e mundur. Martin Schulz madje arriti të errësojë edhe AFD-në, partinë populiste gjermane, që siguroi veçse 13% të votave në këtë sondazh të fundit.
Në radhët e CDU-së, e kanë të vështirë ta fshehin shqetësimin. Vetëm pak ditë më parë, fitorja e kancelares, e cila po kandidon për një mandat të katërt, ishte pothuajse e siguruar. Asnjë personalitet karizmatik s’ishte në gjendje t’i bënte hije në kampin kundërshtar. Por tani rivalët socialdemokratë i përzien letrat dhe futën në garën për kancelar ish-presidentin e Parlamentit Evropian, një “i huaj” i cili e ka bërë të gjithë karrierën e tij mes Brukselit dhe Strasburgut. Mbështetësit e CDU-së po përpiqen fort ta çdramatizojnë duke e minimizuar këtë sukses: Schulzi po përfiton nga efekti-surprizë! Kjo është veçse një zjarr kashte! Entusiazëm kalimtar! Por, fakti është se hendeku mes dy rivalëve është zvogëluar me shpejtësinë e dritës: 17 pikë para shpalljes së kandidaturës së Martin Schulz, 6 pikë disa ditë më vonë, dhe një pikë përpara për PSD-në sot. A do të ndalet kjo ngjitje? Pyetja është e hapur.
Martin Schulz bën figurën e shpëtimtarit që s‘e priste kush
Gjermanët e kanë quajtur këtë “efekti Schulz”, një lloj ilaçi magjik që, brenda disa ditësh, e ka rifuqizuar përtej çdo lloj shprese socialdemokracinë gjermane në gjendje tejet të dobët. Për muaj të tërë, PSD-ja ka humbur zgjedhjet njëra pas tjetrës dhe ka siguruar me vështirësi të mëdha gjithë e gjithë 20% të sondazheve. Disa analistë të guximshëm njoftuan madje vdekjen e partisë, të tjerë shtrojnë pyetjen nëse e meriton akoma kjo organizatë emrin Volkspartei, parti e masave.
Martin Schulzi po bën pra figurën e shpëtimtarit që s’e priste kush. Buzëqeshja e tij rrezatuese shihet kudo: në emisionet televizive, në kryetitujt e gazetave. Ambicia e tij është e koracuar, energjia e tij është komunikuese. Gjermanët nuk kanë pasur ende kohë për t’u lodhur me fytyrën e këtij të sapoardhuri, i cili – dhe ky fakt nuk është për t’u neglizhuar – mund ta shkarkojë veten nga çdo përgjegjësi për shkak se nuk ka marrë pjesë në qeverinë e koalicionit CDU-PSD të Merkelit në legjislaturat e fundit. Baza e PSD-së, e mbetur pafrymë deri vetëm pak ditë më parë, duket e rigjallëruar dhe po e ngre kandidatin e saj në qiell. Ajo ka nisur madje të ëndërrojë: U bënë dymbëdhjetë vjet që socialdemokratët nuk kanë nxjerrë më kancelar, qëkurse Gerhard Schröder-in e detyruan t’ia linte vendin Angela Merkel-it. Martin Schulz nuk ka pikë modestie të rreme kur thotë shumë i qetë: Dua të jem kancelar.
Veritas.com.al/