Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka zhvilluar një takim me kryeministrin, Edi Rama, mesditën e 9 shkurtit.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë faqja zyrtare e Ambasadës Amerikane në Tiranë.
“Ambasadorja Kim u takua sot me kryeministrin Rama përpara vizitës së tij në Washington DC. Ajo përshëndeti mbështetjen e fortë dhe parimore të Shqipërisë për Ukrainën përballë agresionit rus, qoftë si aleate e NATO-s ashtu edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, shkruhet aty.
Ambasadorja Kim ka nënvizuar se lufta kundër korrupsionit është prioritet kryesor për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fjalën e saj Kim ka vërejtur se barra e përgjegjësisë është natyrshëm më e madhe mbi ata që Qeverisin.
Gjithashtu bëhet me dije se Kim dhe Rama kanë biseduar mbi rëndësinë e forcimit të institucioneve demokratike, përparimin historik në forcimin e marrëdhënies në mbrojtje, dhe hapat e mëtejshëm për të rritur tregtinë dhe investimet midis SHBA-ve dhe Shqipërisë.
Rma, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në SHBA më 15 shkurt, ku do të ketë një takim me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken.
Burime zyrtare pranë Kryeministrisë, e kanë konfirmuar lajmin për Albanian Post, teksa agjenda ende nuk është zbardhur.
Sipas po të njëjtave burime, Rama do të jetë pjesëmarrës edhe në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Shqipëria këtë vit ka marrë mandatin e përkohshëm dy-vjeçar në këtë strukturë të OKB-së, ku kontributet e para janë dhënë nga shteti shqiptar me disa rezoluta e deklarata të përbashkëta, apo edhe iniciativa në Këshill.
Ftesa ka ardhur nga vetë Sekretari i Shtetit karshi Ramës. Ndërsa mendohet se një ndër temat e diskutimit, do të jetë edhe situata e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës.
Ky takim mes Ramës e Blinken, do të jetë i dytë, pas atij të 13 qershorit 2021, kur ata u takuan në Bruksel për të nënshkruar një marrëveshje mbi infrastrukturën dhe telekomunikacionit.