Partia Demokratike e drejtuar nga Enkelejd Alibeja ka dorëzuar sot dokumentacionin për t’u regjistruar në zgjedhjet e 14 majit.
Ka qenë përfaqësuesi ligjor Indrit Sefa ai që pas kryerjes së procedurave ka folur edhe për mediat.
Sipas Sefës, ky hap ka qenë një procedurë e thjeshtë si çdo parti tjetër që kërkon të garojë në zgjedhjet lokale.
“Nuk e kuptoj këtë interesim për një procedurë të thjeshtë. Kemi dorëzuar dokumentet si çdo parti tjetër. Pyesni edhe partitë e tjera sesi regjistrohen… Urdhëroni shkresën me protokoll që unë jam përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike. Tani është në dorën e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve që të shqyrtojë kërkesën dhe të vendosë…” – tha Sefa.
Dita e sotme është afati i fundit për regjistrimin e partive në KQZ.
Kujtojmë se Berisha dje deklaroi se kandidatët e tij do të regjistroheshin në KQZ përmes koalicionit me Partinë e Lirinë dhe PBDNJ-në. Ky veprim erdhi pasi Gjykata e Apelit ia la në dorë vulën e PD-së, Enkelejd Alibeajt.