Partia Demokratike i është drejtuar Kuvendit me një rezolutë për të ndalur kërcënimet dhe fyerjet e zyrtarëve shtetërorë ndaj gazetarëve.
Në një deklaratë, deputetja Albana Vokshi, Kryetare e Komisionit Parlamentar për Informimin Publik, shkruan se shantazhimi dhe intimidimi i gazetarëve nga Kryebashkiaku Erjon Veliaj dëshmon se liria e mediave në Shqipëri është e rrezikuar.
“Përdorimi i gjuhës së dhunshme, shantazheve, përçmimi dhe sulmet politike ndaj gazetarëve inkurajojnë dhunë edhe fizike ndaj tyre dhe akte që ndikojnë në lirinë e shprehjes në Shqipëri.
Komiteti i ‘Stabilizim Asociimit’ në deklaratën e përbashkët mes Parlamentit Europian dhe Parlamentit Shqiptar ngriti shqetësimin për ndikimin e madh të interesave ekonomike dhe politike që rrisin autocensurën dhe rrezikojnë lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve.
Disa herë gazetarët kanë denoncuar ndërhyrjen direkt të Kryetarit të Bashkisë Tiranë në politikat editoriale dhe detyrimin e turpshëm për të transmetuar kasetat e tij pa dubla gjatë xhirim-mashtrimeve nëpër skutat e Kryeqytetit. Në cilën kullë të pushtetit jeton Erion Veliaj që shantazhon gazetarët, duke gërmuar jo vetëm në jetët e tyre personale, por duke iu bërë edhe biografinë e punëdhënësve të tyre?!”, thuhet mes të tjerave në deklaratën e deputetes Vokshi.
Veritas.com.al/