Shumë kujt i ka bërë përshtypje që Lulzim Basha, në mitingun e PD, organizuar dje (25 mars), ku shkoi vetë një orë me vonesë, nuk kishte ftuar edhe bashkëpunëtoren e këtyre zgjedhjeve, Monika Kryemadhin. Madje Arian Çani nuk e mbajti dot veten dhe ia bëri drejt përdrejt këtë pyetje Monës, të ftuar që të dy tek ‘Të pa ekspozuarit’.

Pasi dha disa arsye pse nuk duhet të ishte me PD-në në shesh (duke nisur që nga shpenzime të tepruara e deri tek konventa e LSI-së, ku Basha nuk u ftua) Kryemadhi nuk mbajti më dhe u shpreh: ‘Unë nuk ndërhyj te PD-ja, të bëjë Basha çfarë të dojë apo ata çifutët që ka ai nëse i thonë apo jo të ftojë Monikën.’

Po kush janë çifutët që përmend Mona? Pastaj, a e di zonja Kryemadhi që ky term është denigrues? Nëse ka hebrenj në stafin e Bashës, kurrsesi nuk mund t’i drejtohesh atyre me këtë term e nëse me ‘çifutë’ ajo nënkupton ata që ‘i këndojnë në vesh’ Lulushit, atëherë mirë do jetë të thotë emra. Sepse këta plangprishës mund të dëmtojnë marrëdhënien e pastër qelibar mes PD-së dhe LSI-së.