Universiteti i Mjekësisë pranon kërkesën e studentëve. Që do të thotë se studentëve nuk do t’u jepet një kontratë për të firmosur derisa Gjykata Kushtetuese të thotë fjalën përfundimtare nëse ligji që i detyron ata të qëndrojnë 5 vite në Shqipëri, është apo jo në shkelje të Kushtetueses.
Gjithashtu, edhe ato që refuzojnë kontratët nuk do duhet të paguajnë tarifën prej 250 mijë lekësh në vit.
Ky vendim erdhi pas një takimi që pati një përfaqësi prej 8 studentëve me rektorin e Universitetit, Arben Gjata për gati 2 orë. Për rrjedhojë, studentët kanë bërë me dije se janë gati që të kthehen në auditore. Ndërkohë, kanë marrë garanci nga ana e rektorit Gjata që orët e humbura do kenë mundësi për t’i zëvendësuar.
“U diskutuan ato 3 kërkesat tona, të merrnim garanci që deri GJK të japë vendimin e saj dhe ne të mos na paraqitet kontrata. Na dha garanci për këtë, ne do kemi mundësi që të kthehemi lirshëm në auditorë. Do të shkojmë që nesër në auditorë”, tha një student.
Ato janë optimistë se Gjykata Kushtetuese do të japë një vendim pozitiv.
“Mendojmë që Gjykata Kushtetuese do jetë në favorin e studentëve”, tha një prej përfaqësuesve të studentëve.
Përtej garancisë të marrë nga Universiteti, ato këmbëngulin për një takim me ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu.
“Ministrja duhet të përballet me këto studentë që i ka lënë rrugëve”, thanë studentët.